Kosovë, shtyhet përsëri seanca për “demarkacionin”

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës shqyrtimi i Projekt-ligjit për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pas debateve në mes të shefave të grupeve parlamentare është anuluar që të vazhdojë ditën e mërkurë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas një pauze të shkurtër deputetët përsëri nuk arritën që ta procedojnë projektligjin në këtë seancë ku të pranishëm ishin të gjithë deputetët e pozitës dhe opozitës, përveç deputetëve të “Listës Serbe”. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e hodhi në votim propozimin e grupeve parlamentare ku u vendos që seanca të mbahet ditën e mërkurë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij tha se “që dy vite e gjysmë jemi të ndarë për një temë që ka të bëjë me territorin e vendit”, ndërsa kritikoi deputetët e LDK-së të cilët nuk pranojnë që raporti i Komisionit shtetëror për shënimin e vijës kufitare të përfshihet në pakon e marrëveshjes së datës 26 gusht 2015. Haradinaj theksoi se “ligj tjetër nuk do të ketë dhe nuk do i hiqet as edhe një shkronjë këtij ligji”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, tha se nëse kalon marrëveshja për ratifikimin e demarkacionit shteti do të humb territor. Ai tha se për deputetët e LVV-së më esenciale është territori i shtetit sesa liberalizmi i vizave.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, theksoi se partia që përfaqëson ka qenë për këtë marrëveshje që nga fillimi duke theksuar se grupi parlamentar i LDK-së do të votojë kundër shmangies së procedurave për shqyrtim të shpejt të projektligjit, derisa nuk ka marrëveshje se si do të procedohet.

– Marrëveshja e demarkacionit të kufirit Kosovë-Mali i Zi

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo nuk është miratuar ende nga Kuvendi i Kosovës. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi përveç luftës kundër korrupsionit është kushti për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, duhet të arrihen 2/3 e shumicës së Kuvendit, që nënkupton 80 vota nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Kujtojmë se koalicioni qeverisës ka 61 vota, ndërsa Lëvizja “Vetëvendosje” ka 32 deputetë dhe “Lista Serbe” dhjetë, kështu që pa votat e dy partive në fjalë nuk mund të kalojë marrëveshja për demarkacionin.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është thirrur me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj pasi Qeveria e Kosovës të martën miratoi ndryshimet dhe plotësimet e projekt ligjit për demarkacion në pajtim me aneks-marrëveshjen e presidentit të Kosovës dhe Malit të Zi të së premtes së kaluar, e që parasheh mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes paraprake në rast se në drejtim të Çakorit dhe Kullës janë bërë gabime.

Pjesë e këtij projektligji janë Marrëveshja për kufirin shtetëror Kosovë-Mal të Zi e datës 26 gusht 2015, dokumentacioni zyrtar i Komisionit shtetëror për shënimin e kufirit shtetëror si dhe deklarata e presidentit të Kosovës dhe të Malit të zi, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanovic e datës 16 shkurt 2018.