Kosovë, shënohet festa kombëtare e komunitetit turk

Në qytetin e Prizrenit u organizua një program iftari me rastin e 23 Prillit – Festës Kombëtare të Turqve të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ditë e cila është festa kombëtare më e rëndësishme e turqve të Kosovës, në recepsionin e organizuar nga kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ministri për Zhvillim Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka, morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zv/kryeministrja përgjegjëse për Pakicat dhe të Drejtat e Njeriut e Kosovës, Emilija Rexhepi, zv/ministri turk i Punëve të Jashtme, Yavuz Selim Kıran, kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Serkan Kayalar, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke, deputetë, drejtues lokalë dhe qytetarë.

Presidentja Osmani në një fjalim të mbajtur këtu theksoi mbështetjen e rëndësishme që komuniteti turk në Kosovë ka treguar në procesin për t’u bërë shtet.

Ajo tha se shumëllojshmëria e ngjyrave në shpërndarjen e popullsisë së Kosovës, përbën pasurinë e jetës shoqërore dhe kulturore të vendit. “Komuniteti turk është pjesë e pandashme e Kosovës dhe popujve të Kosovës. Është një i tërë që plotëson Kosovën. Si presidente e Kosovës jam e nderuar që ndodhem sot këtu, ku me ju dhe më saktë ne po festojmë ditën e turqve të Kosovës. Uroj që vëllazëria, bashkimi dhe uniteti ynë të jenë të përhershëm”, tha Osmani.

Ndërsa ministri Damka theksoi se komuniteti turk përfaqësohet në nivelin më të lartë në institucionet e Kosovës.

Damka përmendi rëndësinë e regjistrimit të popullsisë që do të mbahet në Kosovë në periudhën e ardhshme për shoqërinë turke. “Sprova më e rëndësishme që do të japim si komunitet do të jetë regjistrimi i popullsisë. Mbi të gjithë bien përgjegjësi serioze në të gjithë punën që do bëjmë për të mbrojtur vlerat tona dhe për të parë me shpresë të ardhmen tonë. Mos të harrojmë që komunitetet turke në Ballkan nuk kanë dalë kurrë nga vija përqafuese, strukturore dhe në përputhje me vendin e tyre. Do të jetë në dorën tonë ta vërtetojmë sërish këtë në vendin tonë”, tha Damka.

Ndërsa zv/ministri turk i Punëve të Jashtme, Yavuz Selim Kıran fjalën e tij e filloi duke përcjellë urimet dhe përshëndetjet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrit të Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu.

“Falë politikës tonë të jashtme humanitare në të gjithë botën, politikës tonë që kemi treguar në boshtin e drejtësisë globale dhe mendjemprehtësisë tonë që kemi treguar në zgjidhjen e çështjeve globale, si Republikë e Turqisë ne jemi në një pozicion shumë më të mirë dhe më të fortë dhe e shohim se ky pushtet është një burim shumë i madh fuqie për shoqërinë turke kudo që ajo të jetë në botë”, tha Kıran duke tërhequr vëmendjen se komuniteti turk në Kosovë është në një pozicion shumë më të fuqishëm në krahasim me periudhën e mëparshme.

Ai tha se do të vazhdojnë të punojnë për lumturinë dhe mirëqenien e turqve të Kosovës.

“Ballkani nuk ka qenë kurrë një gjeografi e zakonshme për ne. Sikur edhe lëndimi më i vogël t’i ndodhë komuniteti turk në Kosovë, bashkatdhetarëve tanë në Ballkan, ne në anën tjetër ndiejmë dhimbje zemre. Po kështu çdo lumturi dhe mirëqenie e komunitetit turk në Kosovë dhe në Ballkan na bën të lumtur dhe të emocionuar në çdo qytet të atdheut të Republikës së Turqisë. Prandaj ne do të vazhdojmë të ecim krah për krah dhe dorë për dore së bashku në boshtin e kësaj ndjenje dhe unitetit të përbashkët të zemrës”, theksoi Kıran.

Pas iftarit programi përfundoi me melodi të Rumelisë të interpretuara nga artisti i njohur i Prizrenit, Alush Nush.

Përpara programit të iftarit, me pjesëmarrjen e presidentes Osmani dhe zv.ministrit Kıran u realizua hapja e ekspozitës “Duart e talentuara që sjellin jetë për stolitë” e organizuar nga Shoqata e Grave Orkide dhe Instituti Yunus Emre në Prizren.

Me rastin e “Festës Kombëtare të Turqve të Kosovës” e cila festohet çdo vit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në të gjithë vendin organizohen aktivitetet të ndryshme kulturore dhe artistike në të gjithë vendin.

– Artisti i famshëm Buray dha koncert në Kosovë

Në kuadër të aktiviteteve për 23 prillin – Festën Kombëtare të Turqve të Kosovës në Prizren u mbajt edhe një koncert nga artisti i famshëm turk Buray.

Në koncertin e mbajtur në Sallën e Sportit në Prizren morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ministri për Zhvillim Rajonal i Kosovës, Fikrim Damka, zv/ministri turk i Punëve të Jashtme, Yavuz Selim Kıran, kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Serkan Kayalar, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe mbi 5 mijë fansa të Buray.

Kayalar në një fjalim në podium para koncertit uroi 23 prillin – Festën Kombëtare të Turqve të Kosovës e cila është simbol i ekzistencës së komunitetit turk në Kosovë.

“Si TIKA kemi zhvilluar aktivitete që do të përmirësojnë bashkëpunimin në fushën e zhvillimit. Institucioni ynë i cili ka filluar aktivitetet e tij në Kosovë që nga viti 2004 ka ndarë me vëllezërit kosovarë më shumë se 700 projekte në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe zhvillimit të kapaciteteve. Falënderojmë shtetin dhe autoritetet e Kosovës për mbështetjen e ngushtë, bashkëpunimin dhe mbështetjet e tyre të sinqerta që kanë treguar në proceset tona të projekteve”, tha Kayalar.

Zv.ministri Kıran shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në festën e komunitetit turk në Kosovë. “Shpresojmë që me këtë energji, me këtë dinamizëm dhe me këtë entuziazëm të tuajin, e ardhmja e Kosovës, e ardhmja e komunitetit turk është në duar të sigurta dhe shumë solide. Në praninë tuaj premtojmë edhe njëherë që si Republikë e Turqisë ne do të punojmë gjithmonë në drejtimin për nevojat tuaja dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave tuaja”, tha ai.

Ministri Damka në fjalimin e tij vuri në dukje se prania turke në Kosovë do të vazhdojë përgjithmonë me mbrojtjen e rinisë turke në Kosovë.

Në koncertin që zgjati rreth dy orë, Buray performoi bashkë me fansat e tij disa këngë dhe në fund të natës ministri Damka i dha një pllakatë nderi.

– 23 prilli – Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe festës së Fëmijëve

Në Prizren u mbajt edhe një aktivitet për fëmijët me rastin e 23 prillit – Ditën e Sovranitetit Kombëtar dhe Festës së Fëmijëve.

Në ceremoninë e mbajtur në kazermën “Sulltan Murat”, ku është vendosur Kryesia e Delegacionit Përfaqësues Turk, me mision në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të Kosovës (KFOR), morën pjesë rreth 500 fëmijë nga bashki të ndryshme të Kosovës.

Fëmijët e bashkuar në këtë atmosferë festime, ngritën në ajër balona me flamujt turq dhe të Kosovës, ndërsa u argëtuan edhe duke luajtur lojëra të ndryshme si tërheqje litari, garë me thes.

Kreu i Delegacionit Përfaqësues Turk të KFOR-it, kolonel Fatih Cansız, me rastin e kësaj dite shpërndau lodra për fëmijët.

Aktiviteti festiv u mbyll me valle popullore dhe shfaqje teatrale nga nxënësit.