Kosovë, pezullohet kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë pas takimit me presidentin serb Vuçiq

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e mbajtur sot, ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviqin, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës, transmeton Anadolu Agency (AA). Vendimi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës për suspendimin e gjyqtares nga minoriteti serb, i cili u bë publik nëpërmjet një komunikate…

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e mbajtur sot, ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviqin, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës për suspendimin e gjyqtares nga minoriteti serb, i cili u bë publik nëpërmjet një komunikate për media nga ky institucion, vjen pas pjesëmarrjes së saj në një takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Serbi.

Stevanoviq ishte pjesë e grupit të serbëve të Kosovës që takoi Vuçiqin në Beograd më 22 mars kur u mësua se Serbia nuk do të mund t’i organizojë zgjedhjet e saj parlamentare dhe presidenciale të caktuara më 3 prill edhe në territorin e Kosovës.

“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy pika të mbyllura për shqyrtimin e njoftimit të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e radhës”, thuhet në njoftim.

Ky reagim i KGJK-së, erdhi pasi ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, i bëri thirrje KGJK-së që të ndërmarrë masa në raport me Kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stefanoviq.

Sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, përcaktohet që nëse vërtetohet se gjyqtarët apo prokurorët kanë bërë shkelje disiplinore, ndaj tyre mund të shqiptohen këto masa disiplinore: Vërejtje jopublike me shkrim, vërejtje publike me shkrim, zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë për qind për një periudhë deri në një vit, transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët apo masa më e rëndë, propozim për shkarkim.

Pas këtij vendimi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë me një video, siç e ka quajtur ai urgjente, ku thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka vendosur ta sulmojë Serbinë”.

“Me urdhër të Albin Kurtit, sot është shkarkuar nga institucionet kosovare, gjykatësja Liljana Stevanoviq. Për mëngjes (e premte) është përgatitur shkarkimi i të gjithë komandantëve të policisë, të cilët ishin në takimin e Këshillit të Sigurisë Nacionale në Beograd”, ka thënë Vuçiq, në një adresim përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale.

Vuçiq ka thënë se Kurti me vendimin e tij, synon të sulmojë serbët kudo që janë, “por, çka do që të bëni, Serbia është me popullin e saj”.

Vuçiq kishte bërë thirrje për mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Nacionale të Serbisë të martën, pasi u bë e ditur se Prishtina zyrtare nuk do të lejojë zgjedhje të Serbisë në territorin e Kosovës.

Në këtë mbledhje përpos gjyqtares së suspenduar, morën pjesë edhe një ministër i Qeverisë Kurti, disa deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarë të tjerë serbë të institucioneve të Kosovës.