Kosovë, krijohen pritje në pikat kufitare me Serbinë për shkak të pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje

Në disa pika kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, janë krijuar kolona dhe pritje, referuar mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi dhe organizimeve të qytetarëve serbë të Kosovës për të udhëtuar në forma të ndryshme drejt Serbisë për të marrë pjesë në votimet në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare atje, transmeton Anadolu Agency (AA)

Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm tha në një njoftim për media se në aspektin e sigurisë, vlerësohet situatë e qetë dhe stabile.

“Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave”, njoftoi policia kosovare.

Policia e Kosovës në këtë fushëveprim ka paraparë masat dhe veprimet në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, garantimit të sigurisë së përgjithshme, si dhe shtimit të kapaciteteve të personelit policor në pikat kufitare me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit kufitar.

Tutje ky institucion i sigurisë dhe rendit në Kosovë ka deklaruar se është i përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe autorizimeve të tij “konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, garantimin e lëvizjes së lirë dhe sigurisë së përgjithshme në vend”.

Gjatë muajit mars të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe në Kosovë nuk mund të mbahen pa një marrëveshje paraprake me Serbinë, ndërsa kjo e fundit nuk e kërkoi zyrtarisht një gjë të tillë nga autoritetet e larta kosovare.

Kurti tha se “nuk mund të veprojnë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”, me gjithë kundërshtimet që pati ky qëndrim i tij nga vendet e Quint-it dhe Bashkimit Evropian.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i organizoi edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të cilat u mbajtën më 21 qershor 2020.

Ato zgjedhje u mbajtën sipas një praktike ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat ndërsa më pas ato janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete të Serbisë në kufi me Kosovën, praktikë kjo e krijuar nga vitit 2017 me lejen edhe të autoriteteve kosovare.