Kosovë, Fakulteti i Studimeve Islame shënon 30 vjetorin e themelimit

Me ceremoni festive është shënuar në Prishtinë 30 vjetori i themelimit të Fakultetit të Studimeve Islame (FSI), raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Invoacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ish-udhëheqës dhe udhëheqës aktual të Fakultetit të Studimeve Islame, përfaqësues të Bashkësisë Islame, profesorë, studentë dhe mysafirë të shumtë.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, duke uruar FSI-në me rastin e 30 vjetorit të themelimit, tha se FSI-ja ka përgatitur kuadro akademike dhe shkencore ndër vite.

“Ky fakultet është një qendër e studimeve teologjike në kohë moderne si i pari që u përball në trevat shqiptare me avancimet që po i bënë duke ecur në hap me kohën dhe me ritmet e shpejta të ndryshimeve që po përjetojmë dhe shpresoj që do të vazhdojë të jetë po aq i suksesshëm edhe në të ardhmen sikurse deri më tani”, theksoi Nagavci.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, tha se janë bërë sakrifica nga shumë breza për të pasur një institucion të lartë arsimor islam.

Tërnava në fjalën e tij tha se misioni i FSI-së të ofrojë studime të cilësisë së lartë me dije të bazuar në Kur’an dhe në Hadithe, duke inkorporuar edhe vlerat kombëtare dhe botërore.

“Themelimi i Fakultetit të Studimeve Islame erdhi si nevojë e plotësimit të kërkesave për arsimimin e lartë islam të vendit tonë, por edhe më gjerë, themelimi i FSI-së ishte nevojë e kohës në mënyrë që të rinjtë tanë të vazhdojnë studimet e tyre në shkencat islame edhe në Kosovë”, theksoi Tërnava.

Dekani aktual i FSI-së, Islam Hasani, tha se tre dekada më parë në ish-ndërtesën e konviktit të Medresesë “Alaudin” në Prishtinë u themelua Fakulteti i Studimeve Islame më 1992 duke u bërë institucioni i parë islam për arsimin e lartë në gjuhën shqipe në trojet shqiptare.

“Me gjithë sfidat dhe vështirësitë e kohës, e që nuk ishin të pakta, FSI këto tre dekada hapi horizonte, krijoji kushte, premisa për bijtë dhe bijat tona të marrin njohuritë e duhura në studimet islame”, theksoi Hasani.

Fakulteti i Studimeve Islame është themeluar me vendim të Kuvendit të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, më 15 gusht të vitit 1992. Punën e filloi në vitin akademik 1992/93, si njësi universitare, jofitimprurëse, me plan-program katërvjeçar për të përgatitur kuadro profesionale për nevojat e Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës dhe jashtë saj, po edhe për të kryer punë e shërbime të tjera nga veprimtaria e vet arsimore-profesionale.