Kosovë, dita e premte ditë greve për shëndetësinë, arsimin, doganën dhe policinë

E derisa nesër do të mbahen greva për të kërkuar implementim të Ligjit të ri për paga, janë disa sindikata  tjera që nuk janë të pajtimit që ky ligj të fillojë të implementohet. Madje është këto kanë paralajmëruar greva e protesta nëse nuk ndryshohet ligji.

Të premten shëndetësia e Kosovës do të jenë në grevë prej orës 07:00 deri në 15:00. Po ashtu dhe Arsimi. Të gjitha universitetet, shkollat, e çerdhet në Kosovë janë në grevë dy orëshe.  Pjesë e grevës pritet të jenë edhe Dogana dhe Policia e Kosovës.  Greva do të mbahet për shkak të dërgimit në Kushtetuese të Ligjit të Pagave nga avokati i popullit.

Spitalet, Pediatria, Gjinekologjia e të gjitha Klinikat e Specializuara së bashku me të gjitha institucionet e tjera të shëndetësisë në vend duke përfshirë këtu edhe Qendrat Klinike Familjare nuk do të punojnë gjatë ditës së premte.

Në fakt shëndetësia e Kosovës do të jenë në grevë prej orës 07:00 deri në 15:00.

Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë të Kosovës ka treguar se greva në shëndetësi do të zgjasë 7 orë.

Ai ka treguar se të gjitha institucionet shëndetësore në Kosovë nuk do të punojnë dhe brenda njësive do të trajtohen vetëm rastet të cilat janë urgjente.

“Greva në shëndetësi fillon nga nesër prej orës shtatë të mëngjesit deri në 15:00. Nuk do të trajtohet asnjë rast përveç rasteve urgjente. Mjekësia primare sekondare dhe treciare të gjitha institucionet shëndetësorë do të jenë në grevë por do punohet brenda njësive ku ka raste urgjente”.

Sipas tij greva do të jetë vetëm të premten si një paralajmërim por nëse nuk merren pagat sipas ligjit të pagave atëherë greva ka mundësi të vazhdojë.

“Kjo është vetëm një grevë paralajmëruese e nëse nuk merren rrogat sipas ligjit të pagave Sindikata do të mblidhet sërish për të marrë një vendim për veprimet e mëtutjeshme”.

E në grevë nesër përveç sistemit të shëndetësisë do të jenë edhe sistemi i arsimit.

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut pas diskutimeve të shumta e duke përcjellë zërin e të punësuarve në arsim, njofton se kanë autorizuar kryetarin e SBASHK-ut dhe kryesinë që në koordinim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë dhe atë të Policisë të nisin bashkërisht me veprime sindikale.

“Duke u bazuar në këtë dhe në koordinim të plotë me këto dy federata të premten (13.12.2019) mbahet grevë dyorëshe paralajmëruese në çerdhe, në Universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e pagave”, thuhet në njoftim.

  • Greva dy orëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30 deri në orën 8:30.
  • Greva në Universitete greva fillon në orën 8 deri në orën 10:00.
  • Greva në shkollat e Kosovës mbahet në dy orët e para në të dy ndërrimet.

“Greva dy orëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta dijë se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale”.

Kurse, Sindikata e Doganës ka paralajmëruar se çdo devijim për të mos zbatuar Ligjin për Paga do të jetë i papranueshëm për ta.

Përmes një komunikate për media, Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës thotë se përkrah çdo ligj të favorshëm dhe i cili ndikon drejtpërdrejtë në ngritjen dhe ruajtjen e mirëqenies sociale të punonjësve.

“Referuar ligjit në fjalë Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës – SPDK konsideron se ligji i pagave i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe votuar nga shumica e deputeteve të Parlamentit të Republikës së Kosovës gëzon përkrahjen e shumicës së të punësuarve në institucionet Republikës së Kosovës. Andaj mbi bazën e kësaj Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës përkrah dhe kërkon zbatimin e Ligjit të Pagave ashtu siç është, pasi që i njëjti mund të plotësohet nëse janë bërë lëshime teknike gjatë procesit”.

Sipas tyre, çdo devijim nga moszbatim i “Ligjit për Paga” për Sindikatën e Pavarur të Doganës së Kosovës do të jetë i pa pranueshëm.

E në mbështetje të këtyre dy sindikatave ka dalë edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.

Kurse, Kryetari i kësaj sindikate, Shaban Tasholli ka treguar se punonjësit e policisë do të presin që të marrin rrogat siç është paraparë në Ligjin e ri të Pagave, e nëse ndodh e kundërta do të vendosin çka do të bëjnë më tutje.

“Ne si Këshill Drejtues do t’i bashkëngjitemi atyre (SBASHK-ut në grevë) nesër, do t’i vizitojmë, do t’i përkrahim mirëpo për iniciativa tjera sindikale që kemi të drejtë do të vendosë Këshilli Drejtues. Ne ende rrogat nuk i kemi marrë. Në momentin kur t’i marrim rrogat, me rritje apo pa rritje, nëse i marrim pa rritje do të tubohet Këshilli i Përgjithshëm dhe do t’i marrim hapat e mëtutjeshëm sindikal. Për momentin pa u verifiku rrogat plus apo minus ne vetëm paralajmërime kemi”.

Mirëpo, pjesëtarët policorë kësaj radhe do të japin vetëm përkrahje për sindikatat tjera që kanë hyrë në grevë, pasi vetë nuk do të munden të shfrytëzojnë këtë të drejtë qytetare e punëtore.

Kjo për faktin se personelit policor me ligj i ndalohet të bëhet pjesë e grevave dhe për të shprehur pakënaqësinë duhet të përdorin metoda tjera sindikale.

Pas dërgimit të Ligjit për Paga në Gjykatën Kushtetuese është vënë në dyshim edhe dalja e pagave me rritje për zyrtarët publikë.

Por, zyrtarë nga Ministria e Financave kanë sqaruar se në bazë të Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, pagat do të dalin me rritje deri në një vendim të Kushtetueses.

E derisa nesër do të mbahen greva për të kërkuar implementim të Ligjit të ri për paga, janë disa sindikata  tjera që nuk janë të pajtimit që ky ligj të fillojë të implementohet. Madje është këto kanë paralajmëruar greva e protesta nëse nuk ndryshohet ligji.

Kujtojmë se deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik.

Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro. /Monitor.al