Kosova voton qeverinë e re VV-LDK

Posa ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të votohet qeveria Kurti.

Kuvendi i Kosovës sot mban seancë plenare ku pritet të hidhet në votim Qeveria e re e Kosovës. Pjesë e seancës do të jenë të gjithë deputetët e rinj të legjislaturës së shtatë/ Gazetarët dhe kameramanët janë në pjesën e sipërme të Kuvendit. Salla duket të jetë plotësisht gati për nisje të seancës.

Para fillimit të seancës plenare për votimin e qeverisë re, deputeti Rasim Selmanaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës edhe njëherë qëndrimin e partisë së tij se do votojnë kundër formimit të qeverisë së Albin Kurtit.

Selmanaj për KosovaPress tha se dy partitë që kanë arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje kanë humbur katër muaj kohë për poste.

Selmanaj: Kosovës pa asnjë arsyeje i humbën katër muaj

“Ne si grup parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës jemi opozitë dhe normal që ne do të votojmë kundër kësaj qeverie. Por ajo që dua të them është se Kosovës, pa asnjë arsyeje të vetme i humbën katër muaj pa i formuar institucionet edhe këta kanë ardhur në pikën fillestare, ku kanë filluar negociatat. Kështu që mendoj që ka lënë një shije të keqe përkundër premtimeve se nuk negociojmë për poste, u pa që gjithë kjo është negociuar për ministri e pozita të ndryshme qeveritare”, tha Selmanaj.

Në orën 11:00 pritet të fillojë seanca plenare ku pritet të votimit për formimin e qeverisë së re.

Mbërrin në Kuvend edhe ambasadorët

Seancën e Kuvendit të Kosovës do ta përcjellin nga afër edhe ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Në Kuvend aktualisht ka arrit ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, si dhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Deputetët e Listës serbe hyjnë në Kuvend

Edhe deputetët e Listës Serbe kanë arritur në Kuvendin e Kosovës. Ata kanë thënë dje se kanë vendosur të mos e përkrahin qeverinë e re.

Lista Serbe do të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, pavarësisht se nuk do ta mbështesë qeverinë.

Vjosa Osmani mbërrin në Kuvend

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetare të Kuvendit, Vjosa Osmani tashmë ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës.

Osmani do të propozohet për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi vetëm partia fituese ka të drejt të propozojë emrin e kryetarit të Kuvendit.

Marrëveshja LV – LDK është nënshkruar dje. Dy partitë që kanë tentuar që sa muaj të formojnë koalicionin marrin nga 6 ministri, derisa 3 i shkojnë minoriteteve.

​Deputetët nisin të hynë në sallë

Derisa kanë mbetur pak minuta para orës 11:00 kur edhe është paraparë të mbahet seanca plenare për votimin e Qeverisë të udhëhequr nga kandidati për kryeministër, Albin Kurti, kanë filluar të vijnë deputetët e Kuvendit të Kosovës, kryesisht ata nga Lidhja Demokratike si Haxhi Avdyli, Fatmir Rexhepi e disa të tjerë. Ndërsa, deri më tash asnjë prej partive tjera parlamentare nuk kanë ardhur në sallën e Kuvendit.

​Flet kandidatja për ministre të Kulturës: Do të punojmë shumë

Vlora Dumoshi e cila është kandiduar për ministre të Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se i kanë votat për të votuar qeverinë e re në seancën e sotme.

Ajo e konfirmoi që do jetë edhe kandidate për ministre të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

E pyetur se a i kanë votat për të votuar sot në seancë Kuvendin e Kosovës ajo tha po.

“Sot e kemi votimin në Kuvend, presim që kjo qeveri të punojë shumë për vendin. Është e vërtet që jam emëruar si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit…. sigurisht që po”, u shpreh ajo.

Në Kuvendin e Kosovës për më pak se gjysmë ore pritet të votohet qeveria e re e Republikës së Kosovës.

Në përditësim…