Kosova jashtë Shoqatës Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë

Shoqata Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, nuk i ka ripërtërirë anëtarësinë Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, për shkak të dështimit të saj për të përmbushur standardet dhe rregullat e shoqatës.

Shoqata përmend “mungesën e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe veprimtaritë e agjencisë, mungesën e burimeve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e Agjencisë së Akreditimit”, etj.

Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova shprehu keqardhjen për një vendim të tillë duke theksuar se kjo është ” kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”.

Ajo i bën thirrje qeverisë së ardhshme që të zgjidhë menjëherë të gjitha çështjet së bashku me Agjencinë e Akreditimit në mënyrë që të sigurojë që pas dy vjetësh Kosova të rifitojë anëtarësinë në ENQA.

“Më e rëndësishmja, qeveria e re nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës”, thuhet mes tjerash në reagimin e zonjës Apostolova.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, që vepron në kuadër të Agjencisë së Akreditimit, vlerësoi ndërkaq se vendimi i ENQA-s është brengosës por jo befasues dhe se ai pasqyron problemet strukturore të Agjencisë së Akreditimit dhe trashëgiminë e lënë pas ndërhyrjeve të vazhdueshme politike në punën e saj.

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet, që përbëhet nga një grup Organizatash Joqeveritare, shprehu zhgënjimin me këtë zhvillim duke theksuar se “procesi i degradimit të Agjencisë deri në përjashtimin përfundimtar nga të gjitha mekanizmat ndërkombëtare të sigurimit të cilësisë, filloi me vendimin e qeverisë së Kosovës të vitit 2017”, ndërsa tërheq vërejtjen se kjo “do të shkaktoj dëm te studentët që regjistrohen në programet e akredituara pas vitit 2019, posaçërisht në çështjen e njohjes më të lehtë të diplomave të tyre jashtë Kosovës”.

Ministria e Arsimit tha se nuk ka asnjë informacion zyrtar, dhe ka kërkuar informacion zyrtarisht nga Agjencia Akreditimit mbi raportin e ri të krijuar mes kësaj agjencie dhe ENQA-s dhe për të gjeturat në baze të të cilave është marrë nje vendim i tillë”./VOA/