Koronavirusi, numri i viktimave në Itali tejkalon numrin e viktimave në Kinë

Me rritjen e numrit të të vdekurve, Italia tejkaloi Kinën, vendin e origjinës së virusit, ku deri më tani janë konfirmuar 3.242 vdekje.

Italia konfirmoi 427 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19) dhe me gjithsej 3.405 viktima deri më tani, tejkaloi Kinën si vendi me më së shumti të vdekur në botë nga virusi, raporton Anadolu Agency (AA).

Numri i rasteve aktive në Itali me koronavirusin e ri (COVID-19) ka arritur në 33.190, ndërsa së bashku me viktimat dhe personat e shëruar, bilanci total i të prekurve deri më tani ka shkuar në 41.034, tha në një konferencë për media në Romë Angelo Borrelli, drejtori i Mbrojtjes Civile.

Borrelli theksoi se me 415 persona të shëruar sot, shifra e përgjithshme e të shëruarve ka arritur në 4.440.

Ai shtoi se infektimi nga virusi është stabil dhe ka rritje në numrin e të shëruarve.

Borrelli theksoi se numri i të vdekurve është rritur për 427 në krahasim me shifrën e njoftuar dje dhe se bilanci total i viktimave ka shkuar në 3.405.

Me rritjen e numrit të të vdekurve, Italia tejkaloi Kinën, vendin e origjinës së virusit, ku deri më tani janë konfirmuar 3.242 vdekje.

Ndërkohë, Rainews24 raportoi se sot kanë humbur jetën pesë mjekë të cilët ishin pjesë e përpjekjeve kundër sëmundjes, me çka numri i përgjithshëm i punonjësve shëndetësorë që kanë vdekur nga COVID-19 arriti në 13.