Kokaina kolumbiane, Rama: Në portet e BE nuk u kap, tek ne po

Pas takimit të kryeministrave të rajonit me Presidentin e KE, Jean-Claude Juncker, shefen e diplomacisë europiane Federica Mogherini, komisionerin e Zgjerimit Johannes Hahn dhe kryeministrin e Bullgarisë Borisov, në Sofje të Bullgarisë, kryeministri Edi Rama ka bërë një prononcim për mediat.

Kryeministri Rama e ka vënë theksin tek progreset e bëra nga Shqipëria, që sipas tij janë vlerësuar nga BE-ja në pritje të dhënies së “OK”-it për nisjen e negociatave për antarësim dhe u ndal te droga e sekuestruar dje në Durrës, që sipas Ramës qe një sukses edhe për faktin se nuk ishte kapur në portet e tjera të BE-së.

“Ishte një bilanc që unë e konsideroj shumë pozitiv, të cilin e parashtroi presidenti Juncker si dhe po ashtu një diskutim mbi ecurinë e procesit të Berlinit në aspektin e financimeve të pritshme, ku korridori blu apo autostrada adriatiko-joniane është një prioritet parësor.

Vlen të theksoj se operacioni më i fundit i agjencive tona ligjzbatuese; hetimi doganor, dhe policia e shtetit, me mbështetjen e Prokurorisë, pati një jehonë shumë pozitive dhe u vlerësua me solidaritet maksimal, duke pasur parasysh se ngarkesa kapur përbën një sasi që është më e madhja e kapur ndonjëherë prej nesh.

Një sasi që para se të vinte në vendin tonë, ka kaluar në portet e bashkimit evropian dhe i ka shpëtuar kontrolleve. Ashtu sikundër ishte po kaq e rëndësishme vetëdija dhe nënvizimi i kësaj vetëdije, se ky ishte një operacion mirëfilli i agjencive tona ligjzbatuese pa një sinjalizim nga partnerët.

Është krejt e natyrshme që ne të punojmë vijimësisht me partnerët dhe operacionet të jenë fryt i bashkëpunimit me ta, por kësaj here është treguar gatishmëri dhe integritet i lartë i vetë forcave tona të angazhuara në luftën kundër trafiqeve”,- u shpreh kryeministri Edi Rama.