SHBA-ja do të rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe aleatët e NATO-s

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan tha se presidenti amerikan Joe Biden i ka bërë të ditur presidentit të Rusisë, Vladimir Putin se në rast se ata pushtojnë Ukrainën, SHBA-ja do të rrisë mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën dhe aleatët e NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sullivan në një konferencë për media lidhur me bisedën me video-konferencë mes Biden dhe Putin për çështjen e Ukrainës tha se presidenti amerikan paralajmëroi se do të vendosen sanksione ekonomike në rast të pushtimit të Ukrainës. “Biden i ka thënë Putinit se në këtë situatë (nëse pushtojnë Ukrainën) do t‘i japin Ukrainës mbështetje me armatime të mbrojtjes përtej asaj që bëjnë tani dhe do të rrisin mbështetjen ushtarake për aleatët në frontin lindor të NATO-s”, tha Sullivan.

“Biden i ka thënë Putinit se edhe diplomacia është një rrugë tjetër”, theksoi Sullivan duke shtuar se “Në bisedë nuk ka pasur ndonjë qëndrim kërcënues, por Biden ka theksuar në mënyrë shumë të qartë qëndrimin e SHBA-së”.

Biden do të bisedojë të enjten me presidentin e Ukrainës

Biden pas bisedës me Putinin ka realizuar bisedime edhe me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe dhe se në orët në vijim do të bisedojë edhe me emra të tjerë nga Kongresi Amerikan. “Biden të enjten do të zhvillojë bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky”, tha Sullivan.

Ai shtoi se kanë një axhendë intensive për të vlerësuar hapat që do të ndërmerren në rast se në ditët në vijim rriten tensionet në rajon.

“Nëse Rusia pushton Ukrainën, aleatët në rajon si Polonia dhe Rumania do ta ndiejnë veten të pasigurt dhe se për këtë arsye mund të dërgojnë ushtarë shtesë edhe në këto vende”, tha Sullivan duke ndarë informacionin se “Biden e shikoi në sy Putinin dhe i tha se tani mund të ndërmarrin hapat që nuk kanë mundur t’i ndërmarrin në vitin 2014”.

Sullivan tha se nuk mund të bëjë një koment rreth qëndrimit të Putinit në bisedë, por që nuk e di ende nëse presidenti rus ka marrë apo jo një vendim për pushtimin e Ukrainës.

Mesazhi ndaj Rusisë për “Rrjedhën Veriore 2”

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Sullivan nënvizoi se janë në komunikim të afërt me Gjermaninë për “Rrjedhën Veriore 2” dhe ka paralajmëruar se “Nëse Putin dëshiron që të rrjedhë gaz nga ‘Rrjedha Veriore 2’, ai nuk mund të rrezikojë këtë duke pushtuar Ukrainën”.

Në pyetjen nëse SHBA-ja është e gatshme të kundërpërgjigjet në rast se Rusia pushton Ukrainën dhe Kina Tajvanin në të njëjtën kohë, ai tha: “Po përpiqemi të jemi parandalues ndaj pushtimit të Ukrainës. Ndërsa Tajvani është një skenar i cili nuk do të realizohet kurrë”.