“Kemi mundësi ta bëjmë PD siç ka qenë”, djali i Sokol Olldashit: Qëllimi i Partisë Demokratike duhet të jetë përtej rrëzimit të PS

Nga podiumi i Kuvendit të PD, djali i ish-deputetit Sokol Olldashit u shpreh se ishte rinia ajo e cila e ndezi këtë zjarr që nisi me foltoret dhe konkludoi në këtë takim të sotëm.

Glauk Olldashi ndër të tjera thotë se qëllimi i PD duhet të jetë përtej rrëzimit të Partisë Socialiste dhe se nuk duhet të vazhdohet me mendimin se qytetarët duhet të zgjedhin të keqen më të vogël.

“Unë jam i ri dhe më pëlqen të mendoj se rinia është ajo që ndezi këtë zjarr. Rinia do e mbajë ndezur për vite me radhë. Rinia është zemra e PD-së. Qëllimi i PD-së duhet të jetë përtej rrëzimit të PS-së. Nuk mund të vazhdojmë me mendimin se qytetarët duhet të zgjedhin të keqen më të vogël. Kur dalim për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve, duhet të jetë për vlerat e demokratëve, dhe jo vetëm se kundërshtari po shkatërron vendin” tha ai.

Glauk e mbyll fjalën duke thënë se tashmë është mundësia që PD të bëhet siç ka qenë.

“Kemi mundësinë për ta bërë PD-në siç ka qenë. Gjithçka është në dorën tonë, do arrijmë të kalojmë veten. Fillim i ri, bashkë rikthehemi shpejt”, deklaroi ai.