Rruga e Kardhiq-Delvinë do të jetë një ndër projektet kryesore që do të financohet gjatë periudhës 2023-2025, duke i çuar kostot deri më tani në mbi 15 miliardë lekë, ose rreth 145 milionë euro, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nga lista shumëvjeçare e investimeve.
Në vitin 2009, në një tabelë të projekteve prioritare nga Ministria e Transportit në atë kohë, rruga Kardhiq-Delvinë, rreth 39 kilometër do të kushtonte 26,5 milionë euro (shiko tabelën e mëposhtme), teksa vlera e harxhuar për rrugën në 15 vjet është 5.7 herë më e lartë.
Pavarësisht se qeveria inauguroi përfundimin e punimeve në vitin 2021, aksi vijon të marrë financime të mëdha nga buxheti i shtetit.
Në projektbuxhetin afatmesëm 2023-2025 që Ministria e Infrastrukturës ka dërguar në Ministrinë e Financave janë programuar për t’u financuar edhe 1,5 miliardë lekë në 4 lote të ndryshme, kryesisht sinjalistika dhe siguria rrugore. Shumica e këtyre fondeve ishin planifikuar për t’u përdorur vitin e kaluar dhe këtë vit, por janë shtyrë në kohë.
Sipas të dhënave nga Thesari i Ministrisë së Financave, deri më tanim projekti ka kaluar vlerën e 15 miliardë lekëvem shumica e të cilave u dhanë për të përfunduar punimet e 15 kilometrave të aksit, pasi të tjerat ishin ndërtuar para vitit 2014.
Duke qenë se zbatimi i projektit për këtë aks është shtrirë në dy dekada dhe punimet janë copëzuar në 8 lote, gjurmimi i fondeve vështirësohet.
Kosto e punimeve nga 680 mijë euro për kilometër që ishte parashikuar kur nisi projekti, ka kapur vlera mbi 5 milionë euro për punimet e zhvilluara pas vitit 2019 dhe po vijon ende financimin.
Banka Botërore ka analizuar se kur punimet në një objekt zgjasin më shumë se tre vite kostot rriten në mënyrë progresive për shkak të amortizimit, teksa shtesat e punimeve bëhen të pashmangshme.
Në disa prej lotëve, shtesat e punimeve kanë kaluar 30% të vlerës fillestare të kontratës.
Qeveria Berisha, në vitin 2007, vendosi ndërtimin e këtij aksi, por punimet u ndërprenë për të rinisur në vitin 2018, për të ndërtuar rreth 16 kilometra, pasi punimet për 16 kilometra ishin të përfunduara.
Kostot e rrugës u rritën pasi qeveria vendosi vitin e kaluar të rishikonte projektin në të gjithë gjatësinë e tij, për ta pajisur me sinjalistikë të gjitha lotët në gjatësinë prej 32 kilometër, funksion që normalisht e kryejnë kompanitë që realizojnë punimet.
Rruga Kardhiq – Delvinë është e kategorisë B me dy korsi, me gjerësi që varion nga 10 në 17 metër. Ky aks synon të shkurtojë distancën ndërmjet Tiranës dhe Sarandës, duke shmangur Qafën e Muzinës.
Rruga e cila u konceptua për nxitjen e turizmit kryesisht u kthye në një sagë pa fund dhe kosto të larta për taksapaguesit./B.Hoxha