Kalın: Po punojmë që kthimi i refugjatëve sirianë të jetë i sigurt dhe vullnetar

"Kthimi i refugjatëve do të bazohet në tri kritere kryesore të caktuara nga OKB, ndërsa ne po punojmë që të sigurohet kthim i sigurt, vullnetar dhe dinjitoz", tha zëdhënësi i presidencës turke

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, tha se po punohet që kthimi i refugjatëve sirianë në zonën e sigurt në Siri do të jetë “i sigurt, vullnetar dhe dinjitoz”, bazuar në tri kritere kryesore të caktuara nga Kombet e Bashkuara (OKB), raporton Anadolu Agency (AA).

“Kthimi i refugjatëve do të bazohet në tri kritere kryesore të caktuara nga OKB, ndërsa ne po punojmë që të sigurohet kthim i sigurt, vullnetar dhe dinjitoz”, tha Kalın duke folur para gazetarëve në Pallatin Presidencial në Ankara.

Turqia më 9 tetor filloi operacionin “Burimi i Paqes” për të eleminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat me qëllim të sigurimit të kufijve të Turqisë, kthimit të sigurt të refugjatëve sirianë dhe sigurimit të integritetit territorial të Sirisë.

Ankaraja synon që terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen nga rajoni në mënyrë që të mund të krijohet një zonë e sigurt për të hapur rrugën për kthimin e sigurt të rreth dy milionë refugjatëve.

Kalın po ashtu njoftoi se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan pritet të jetë bashkëkryesues i Forumit Global të Refugjatëve në Gjenevë javën e ardhshme.

Forumi i parë Global i Refugjatëve, i caktuar për më 17-18 dhjetor, do të fokusohet në tema si ndarja e ngarkesës dhe përgjegjësisë, arsimi, punësimi, energjia dhe infrastruktura, zgjidhjet dhe kapaciteti mbrojtës.

Ndërkaq, duke folur për mundësinë e dërgimit të trupave turke në Libi, ai tha se një kërkesë e tillë nuk është bërë nga qeveria libiane në Tripoli dhe shprehu shpresë që të mos ketë nevojë për një hap të tillë.

“Nuk kemi kërkesë të tillë nga ana e Libisë. Shpresoj të mos ngelin të detyruar për një gjë të tillë”, deklaroi zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.

“Programi F-35 u shndërrua në çështje të brendshme të SHBA-së”

Ndër të tjera, Kalın foli edhe për kontestin midis Turqisë dhe SHBA-së mbi avionët luftarakë F-35, duke thënë se projekti i këtyre avionëve nuk është më një çështje teknike apo e industrisë së mbrojtjes, por është shndërruar në një çështje të politikës së brendshme të SHBA-së.

Ligjvënësit amerikanë njoftuan të martën se po shqyrtojnë blerjen e avionëve F-35 që duhej të ishin të Turqisë sipas programit të përbashkët të avionëve luftarakë.

Në muajin korrik, blerja e sistemeve mbrojtëse ruse S-400 bëri që administrata Trump të pezullojë Turqinë nga programi F-35. SHBA pohon se sistemi do të përbëjë rrezik sigurie dhe nuk përputhet me sistemet e NATO-s.

Megjithatë, Turqia vazhdimisht ka përsëritur se S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbëjë asnjë kërcënim për aleancën.

Zyrtarët turq gjithashtu kanë propozuar krijimin e një komisioni për të hulumtuar këtë çështje, por ende nuk ka marrë një përgjigje pozitive nga Washingtoni.