“Ka vetëm një PD”, Basha: Kemi zgjedhur aleancën me SHBA dhe BE. Vetëm kështu mund t’i japim fund horrorit të një vendi ku kryeministri vjedh 1/10 e buxhetit

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar këtë të diel një takim me strukturat e partisë në Kamëz. Gjatë bashkëbisedimit me to, Basha tha se ka vetëm 1 Parti Demokratike, që ka marrë vendime të mëdha në Kuvendin e 18 dhjetorit. Ai theksoi më tej se nuk do të lejojë LSI-në e as bishtat e…

basha

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar këtë të diel një takim me strukturat e partisë në Kamëz.

Gjatë bashkëbisedimit me to, Basha tha se ka vetëm 1 Parti Demokratike, që ka marrë vendime të mëdha në Kuvendin e 18 dhjetorit.

Ai theksoi më tej se nuk do të lejojë LSI-në e as bishtat e tjerë të përfitojnë, ndërsa shtoi se betejën e kanë me Edi Ramën dhe korrupsionin e madh që kanë gërryer shqiptarët.

“Këtu duhet të jemi të qartë. Këtu nuk ka vend për paqartësi. Kush është I paqartë për këtë ose s’bën për politikë ose I djeg miza nën kësulë.
Ka një PS, ka një LSI.

Ka një dhe vetëm një PD.
Dhe kjo PD ka marrë vendime të mëdha, me legjitimitet të plotë në Kuvendin Kombëtar të 18 Dhjetorit: Vendim për tu ndarë nga hijet e të shkuarës,
Vendim për të zgjedhur të ardhmen,
Vendim që edhe para 30 vitesh ishte e pakëndueshme pa aleancën me SHBA dhe BE,
Vendim për të dekomunistizuar një herë e përgjithmonë shoqërinë shqiptarë, duke nisur nga vetja jonë si detyrim madhor ndaj të përndjekurve dhe pasardhësve të tyre, si një detyrim madhor ndaj shoqërisë shqiptare.
20 Shkurti, dita simbol e rënies së shtatores së diktatorit është dita për ta rinovuar, ndonëse kanë kaluar 31 vjet e gjysma e të pranishmeve në këtë sallë ndoshta nuk kishin lindur atë ditë, por gjithë të tjerët që kemi qenë, unë 16 vjeç e kusur, e disa prej jush sa ç’jam unë sot, e kemi për detyrim jo thjesht ta rinovojmë si zotim por t’ja ngarkojmë grupit parlamentar të PD, detyrën që të paraqesë të gjitha masat parlamentare për demokunistizimin e plotë të shoqërisë shqiptare.
Duke përfshirë vetingun e politikanëve dhe funksionarëve në të gjitha aspektet, të pasurisë, të dekriminalizimit dhe të rolit të tyre gjatë diktaturës. Pra, miqtë e mi jemi në një agjendë të shumëfishtë, por çdo aspekt e kësaj agjendë e këtij programi politik ka të bëjë me fatet e Shqipërisë dhe fatet e shqiptarëve, me fatet e komshinjve tuaj dhe familjarëve tuaj në Kamzë, Paskuqan, në Tiranë e kudo.
Thelbi i kësaj agjende politike është ky aksion i cili ka marrë një dimension të plotë e po shtrihet kudo, ti rikthejmë politikës fytyrën njerëzore, t’ia rikthejmë politikën qytetarëve dhe vetëm kështu mund të rikthejmë ligjin, barazinë para ligjit, fundin e pandëshkueshmërisë politikanëve të pandëshkuar. Vetëm kështu mund ti japim fund horrorit të një vendi që në vitin 2022 Kryeministri dhe një grusht ministrash vjedhin 1/10 e buxhetit të shtetit dhe bëjnë sikur nuk kanë bërë asgjë.
Dy nga zotimet tona të para disa muajve kanë hedhur hapin e parë.
Në parlament janë detyruar, ndryshe nga sa thonë, të pranojnë komisionin parlamentar për reformën zgjedhore dhe komisionin parlamentar për reformën territoriale.
Njësoj si në komisionin e inceneratorëve ne do të luftojmë fuqishëm për shqiptarët, do të luftojmë fuqishëm që shqiptarëve tu mundësohet një sistem zgjedhor që iu garanton dinjitetin, lirinë, fshehtësinë e votës, të paktën si në Kosovë, ku siç e shikoni brenda një jave janë në gjendje të organizojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Nuk do të lejojmë ne as LSI-në, as bishtat e tjerë të përfitojnë, ndërkohë që ne jemi në betejë me Edi Ramën, në betejë me korrupsionin më të madh në Ballkan në 30 vite, të rrimë duke gërryer me njerëz që kanë humbur çdo vetëdije demokrati dhe që shërbejnë pa pikë dinjiteti, shpeshherë edhe të paguar njësoj siç bën kundërshtari politik.

Tani ta mbyll me diçka që ma mbush zemrën plot, jo vetëm mu, por besoj dhe ju. Gjysmën e sallës e shoh me rini. Faleminderit që jeni këtu! Kjo është Partia Demokratike me vetëdijen që një forcë politike e ka të domosdoshme të ripërtërij vetveten, ja ku i kemi, keni mbajtur prej dore një pjesë prej tyre, janë bijtë dhe bijat tuaja në këto vite, vite suksesesh, vite sfidash, vite dështimesh. Tani janë rritur, janë anëtarët të Forumit, janë anëtarë të Partisë Demokratike, janë në mesin tonë, janë treguesi se Partia Demokratike jo vetëm që nuk do të tkurret, por do të bëhet më e madhe, më e fortë dhe më rinore. E madhe ka lindur, më e madhe do bëhet. Rinore ka lindur, edhe më rinore do të bëhet. Kjo sigurisht nuk do të thotë që ne do të harrojmë kontributet, sepse betejat e zhvilluara nga themeluesit, nga qëndrestarët, nga njerëzit e përvojave, përfshirë këtë përvojë 8-vjeçare, janë një thesar i vërtetë, i cili i duhet shkëmbyer, i duhet dhënë, është një udhërrëfyes, nuk është diçka që jepet brenda natës, as brenda javës. Por iu ftoj që të bëni një bashkëudhëtim. Siç e bëni bashkëudhëtimin si prindi me fëmijën, bëjeni dhe bashkëudhëtimin mes themeluesve, qëndrestarëve dhe të rinjve të Partisë Demokratike”, tha Basha.