Juventus triumfon në Romë dhe shpallet kampione dimri

Juventusit i kanë mjaftuar 10 minutat e para të lojës në “Olimpico” për të siguruar triumfin dhe për të marrë 3 pikët në ndeshjen e fundit të fazës së parë, që i ngjit ata në krye të renditjes me 48 pikë dhe i shpall kampionë të dimrit.

Bardhezinjtë e nisën mjaft vrullshëm takimin në kryeqytet dhe arritën të kalojnë në avantazh që në minutën e tretë me anë të mbrojtësit turk Demiral, që e nisi sërish takimin si titullar, duke lënë në stol edhe njëherë holandezin De Ligt.

Në minutën e 10’ ishte sulmuesi portugez Cristiano Ronaldo që u tregua i saktë nga pika e penalltisë, duke shënuar edhe golin e dytë për bardhezinjtë dhe duke dhënë sinjale se ndeshja mund të kthehej në një shëtitje.

Në minutën e 20’ mbrojtësi turk Demiral pësoi një dëmtim dhe u largua për t’i lënë vendin De Ligt, ndërsa verdhekuqtë filluan të shohin më shpesh nga gjysmëfusha bardhezi, duke krijuar disa raste në kuadratin e Szczesnyt.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e dyfishtë të Juventusit, ndërsa takimi u rihap vetëm në minutën e 68’, kur arbitri akordoi një 11-metërsh me ndihmën e VAR-it, të cilin e shndërroi në gol sulmuesi argjentinas Diego Perotti.

Deri në fund ishte Roma që dominoi takimin, duke krijuar disa raste shënimi, por Dzeko, Under, Pellegrini e Kolarov nuk u treguan të saktë para portës së Juventusit, që nga ana tjetër kërcënoi 2-3 herë me anë të kundërsulmeve.

Vërshëllima finale la në fuqi triumfin e Juventusit, që shkëputet në krye me dy pikë më tepër se Interi dhe shpallet fitues i gjysmës së parë të kampionatit, ndërsa Roma pëson humbjen e dytë radhazi në po kaq takime për vitin 2020 dhe për më tepër, të dyja në stadiumin “Olimpico”.