Jo vetëm hotelet plot, bum kërkesash edhe për apartamente nga turistët

Kjo është një ditë e zakonshme në rrugët e kryeqytetit ku kudo që të ecësh do të hasësh turistë nga e gjithë bota.

Shumë vijnë për herë të parë, por ka dhe nga ata që rikthehen përsëri në Tiranë. Ndonëse nuk ka det për të ofruar, kryeqyteti sërish ka arritur që të bëjë për vete turistët që zgjedhin të qëndrojnë për disa ditë. Këtë vit hotelet kanë qenë plot por edhe apartamentet të prenotuara përmes arbnb.

“Për mua është hera e parë që vij në Tiranë, jam nga Italia. Kemi ardhur ne fund te korrikut, po bëjmë 10 ditë që jemi këtu. Po qëndrojmë në hotel. Po shohim vendet këtu rreth qendrës. Do të kthehem sërish”, tha turisti.

“Ne do të qëndrojmë këtu 4 ditë por do te kthehemi sërish në fund te gushtit për të vizituar edhe jugun e Shqipërisë. Tani kemi prenotuar apartament me arbnb, ndërsa për ne jug kemi zgjedhur të qëndrojmë në hotel”, tha një turist tjetër.

“ Është hera e dytë që vijmë në Shqipëri. Po qëndrojmë në apartament që pronotuam online. Keni një vend shume të bukur ndërsa ushqimi është shumë i shijshëm”, tha një turiste.

Por ka dhe turistë që eksperiencën e tyre në vendin tonë kanë zgjedhur që ta shijojnë duke qëndruar në rulot.

“Unë jam nga veriu i Italisë, është hera e parë që vij këtu. Do të qëndrojmë për dy javë. Kemi me vete dy rulo dhe po udhëtojmë nëpër te gjithë vendin”, tha një tjetër turiste.

Ky është një vit mjaft premtues për turizmin në vendin tonë që po përjeton një boom turistësh. Hotelet, apartamentet por edhe baret e restorantet janë të mbushura me pushues nga e gjithë bota. Para nisjes së sezonit turistik në rajonin qendror ku bën pjesë Tirana dhe Elbasani, ka pasur 57 261 vizitorë të huaj në strukturat akomoduese, ndërsa tashmë në muajin gusht kjo shifër është shumëfishuar.