Ish-zëvendësministrja e Brendshme dënohet me 10 muaj burg, mori 1.000 euro, celular dhe arkë me peshk për një vend pune

Dënohet me 10 muaj burg ish-zevendesministrja e brendshme Rovena Voda.

Gjykata e Posaçme dënoi me 1 vit dhe 3 muaj burgim Vodën dhe dy të pandehurat e tjera për këtë çështje Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Por për shkak se ish-zëvendësministrja e Brendshme Voda ka pranuar gjykim të shkurtuar dënimi i ulet në 10 muaj burg.

Voda akuzohet për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërsa, të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Më 13 janar 2022 Prokuroria SPAK dërgoi në Gjykatë kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Rovena Voda.

SPAK bëri me dije se në përfundim të hetimeve paraprake për këtë procedim penal ishin mbledhur prova me të cilat provohet se, e pandehura Rovena Voda, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

 “Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë marrë dhe janë pranuar me qëllim që e pandehura Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm tek persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtë të pandehurën Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive.”