Integrimi në botën e ujit të pijshëm

Nga Redi Shehu

Bashkë me verën në Tiranë zbret edhe një telash i madh. Uji në këto ditë vere avullon nga tubat dhe thatësira e etja shpërhapen në të gjitha zonat ku pyje pallatesh të reja e të vjetra popullojnë xhunglën kryeqytetase. Si një dënim kolektiv social tashmë i konsoliduar në traditë, vit pas viti apo më mirë të themi verë pas vere, banorët e kryeqytetit por edhe më gjërë, i dorëzohen sentencës së ndëshkimit pa ujë. Një ndëshkim që zanafillon nga kokëfortësia jonë për të mos u kthyer përfundimisht në shtetarë të denjë për të ndërtuar një shtet të denjë.
Kaq shumë ka përparuar proçesi i natyralizimit me mungesën e ujit, saqë në përditshmërinë tone verore, mentaliteti i mbijetesës së shkretëtirës në një vend me klimë evropiane, ka tejkaluar imagjinatën. Duhet të jetë shumë sfidues fakti që flasim e përpiqemi për t’u rreshtuar në mesin e shteteve të standartizuara shoqërisht dhe në të njëjtën kohë këtë shqiptarët e bëjmë duke përdorur sapllaken e ujit teksa kthehemi në vendbanimet tona të lodhur nga përpjekjet integruese.
Kapja pas gjësë më të madhe ndërkohë që ato gjëra përditshmërisht “të vogla” janë të parehatuara akoma, sjellin një sfazim botëkuptimor mes asaj që duam dhe asaj që realisht kemi. Në të vërtetë jeta jonë në këtë tranzicion dy dekadësh është endur mes një realiteti tepër të vrazhdë e vrasës dhe ëndrrash se si duam të jemi. Një jetë mes ëndërrash e vuajtjesh të përditshme ka avancuar e është ushqyer nga dëshira për të ardhmen se sa nga fakti vringëllues e real. Me shpresa të cilat kurrë nuk reshtin kemi kaluar nga vuajtja në vuajtje dhe arritjet tona kanë qenë krahasimisht të renditura në formë grafike, ku vuajtja e vitit paraardhës ka qenë statistikisht më e vogël se e atij pasardhës.
Pra, pothuaj të gjithë, pavarësisht masave dhe planeve rrezervë që kemi ndërmarrë në lidhje me sigurimin e ujit gjatë verës, nuk i shpëtojnë dot mungesës së tij, as gromësirës së rubinetit që në vend të lëngut nxjerr një shfryrje dëshpëruese ajri, një përgjigje refuzuese ndaj teje si taksapagues qesharak që kërkon të fitosh të drejtën e çmueshme atë të larjes.
Përveç premtimeve të një kryeqyteti metropol, të cilin çuditërisht e quajnë të tillë, përveç synimeve për t’u shndërruar në një superfuqi energjitike me bazë ujin në rajon, ajo që realisht përbën edhe sfidën qeverisëse si dhe një ndër shtyllat kryesore programore të qeverisë në pushtet të shpalosur në fushatën elektorale, përsëri pas tre dekadash premtime, ka qenë shndërrimi i Shqipërisë në një vend ku ka 24 orë ujë. Pra, në këtë dheun tonë të përbashkët që quhet Evropë, nuk gjen një vend në të cilin në këtë mijëvjeçar sfida kryesore e tij të jetë furnizimi me ujë i popullatës përgjatë 24 orëve. Përpara se të spekullohet politikisht e kulturalisht me proçeset integruese, do të ishte më e udhës por edhe në të njëtën kohë më e sinqertë që të ekzaltohej së pari integrimi ynë me vetvehten dhe me zgjidhjen e problemeve tona.
Por, neve kemi problematikë tipikisht edhe më të spikatur se sa të tjerët përsa i përket ujit të pijshëm. Jo vetëm që ai (uji) nuk denjon të jetë present në tubacione gjatë gjithë kohës, por, ky adashi jonë na përzihet edhe me ca ujra të tjera të errëta të një përbërjeje molekulare të dyshimtë dhe na vjen serbes i nxirë e i telefosur në ato oraret e shumëpritura. Integrimi i ujrave të bardha me ato të zeza në Shqipëri ka tejkaluar të gjitha parashikimet integruese dhe proçeset e stabilizimeve e asociimeve, madje ai leviz “pa viza” nga njëri pellg tek tjetri duke kontribuar tej mase në pasurimin e florës dhe faunës bakteriale të popullsive tona rurale e qytetare. Instituti i Shëndetit Publik ka bërë me dije problemin se në disa qytete të Shqipërisë, uji i pijshëm i cili përdoret edhe për konsum të përditshëm në tryezat shqiptare është i paklorifikuar, për pasojë edhe i dëmshëm për shëndetin e popullatës. Ai gjithashtu ka këshilluar që të mos lejohet konsumi i përditshëm i këtij uji në zonat që paraqiten problematike.
Së fundmi u arrit edhe fitorja më e madhe e shëndetësisë tonë e cila bllokoi daljen e një dore përrenjsh të errët e kundërmues drejt detit, me anën e disa filtrave natyrale, kështu që pushuesit mundet tashmë të notojnë të qetë pa prezencën e njollave të çuditshme kureshtndjellëse.
Gjithsesi, Ndërmarrja e Ujësjellës dhe Kanalizimeve ka përveshur mëngët tani duke hapur një pafundësi kanalesh gjithandej të cilat shpresojmë që brënda të kenë tuba plot me ujë të cilat të mund të shpërndajnë elementin më jetik për banorët e qyteteve tona. Shpresojmë gjithashtu që këto aksione të jenë së pari të karakteriazuara nga qëllimi për të zgjidhur problemet se sa për të nxituar elektoralisht në realizimin e premtimeve zgjedhore.