Inceneratorët/ Ngritja dhe rënia e Lefter Kokës, si e çoi pas hekurave një nga aferat më të mëdha korruptive të 3 dekadave të fundit. Si iu dhanë pa garë tenderat dy biznesmenëve

Emisioni ‘Në Shënjestër’ në ‘News24’ sjell sot një dokumentar në lidhje me aferën korruptive të incenatorëve, që çuan pas hekurave ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ndërsa u shpallën në kërkim biznesmeni Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Emisioni i gazetares Klodiana Lala sjell fakte të reja për këtë skemë abuzimi, ku flitet për tendera pa garë për inceneratorët.

Dokumentari
“I jam mirënjohës ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Financave, që ndonëse gjirokastrit, e zgjidhi deri në fund qesen…”, tha Rama për Lefter Kokën.

Teksa u ngjit në podiumin e ngritur në këmbët e zonës së trajtimit të mbetjeve në Elbasan, gjatë ceremonisë për inagurimin e koncesionit, kryeministri Rama nuk i kurseu lëvdatat për dy anëtarët e kabinetit të tij qeveritar, ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe atij të Financave Arben Ahmetaj.
Sipas shefit të ekzekutivit, impianti do t’i jepte fund masakrës ekologjike të trajtimit të mbetjeve në vend, por ajo që Rama dikur mburri me të madhe, sot mund të thuhet pa frikë, se është një nga aferat më të mëdha korruptive të 3 dekadave të fundit, që po prodhon edhe viktimat e para nga drejtësia.
Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, një njeri me peshë në politikë, është i pari që provoi byzylykët e ftohtë të drejtësisë lidhur mbi dosjen korruptive të inceneratorëve.

Një aferë e bujshme, ku janë të përfshirë politikanë, zyrtarë të lartë e biznesmenë, të lidhur në një skemë e cila ngjet të jetë vetëm maja e zbuluar e një ajsbergu. Në një aferë piramidale në dukje me orkestrim shtetëror, ku kompani të lindura nga hiçi, mundën t’i zhvasin buxhetit të shtetit nëpërmjet skemës së inceneratorëve po fantazmë, miliona euro. Koka, një zyrtar i njohur në rangjet e larta të politikës, u ndalua mesditën e së martës, në një kafene në qytetin e tij të Durrësit mbi bazën e urdhër arrestit të SPAK, si i dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. SPAK tha se Koka shpërdoroi detyrën, pasi lidhi kontratën për incineratorin e Elbasanit me kompaninë “Albtek Energy” të Stela Gugalljas, tashmë në kërkim, pa patur një garë.

Zanafillën, afera e inceneratoreve e pati me impiantin e Elbasanit kur më 4 korrik 2014, një vit pas ardhjes në pushtet të socialistëve, Bashkia e Elbasanit i dërgoi kërkesë Ministrisë së Mjedisit, lidhur mbi një projekt për trajtimin e mbetjeve. Dy ditë më vonë, më 9 korrik 2014 ministria i ktheu përgjigje pozitive, ndërkohë që të nesërmen me 10 korrik Stela Gugallja themelon kompaninë “Albtek Energy shpk”, që më vonë do të shpallej fituese e koncesionit. Në 11 gusht “Albtek Energy”, kompani pa asnjë përvojë në fushën e trajtimit të mbetjeve dhe me kapital themeltar 100.000 lekë i paraqet Ministrisë së Mjedisit një kërkesë për shprehje interesi për koncesione të tipit Partneritet-Publik-Privat për Impiantin e Përpunimit të Mbetjeve Elbasan, shoqëruar me një projekt paraprak në një material prej 25 faqe. Nga kjo ditë nis seria e procedurave rrufe midis dhjetra institucioneve shqiptare, ne nivel qendror dhe lokal, që të do të konkretizohen me miratimin e kontratës koncesionare.
Fillimisht më 22 shtator 2014 bashkia e Elbasanit shpalli gjendjen e Emergjencës Mjedisore për menaxhimin e mbetjeve në territorin e saj, ndërsa me 14 tetor 2014 Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, nxori urdhrin për ngritjen e Komisionit të Koncesionit.

Kundër projekti doli Ministria e Financave e drejtuar nga Shkelqim Cani. Pavarësisht kësaj, procedurat ecën me shpejtësi. Madje brenda 24 orëve u kryen 9 procedura, nga shpallja e fituesit deri tek miratimi i kontratës nga qeveria. Ku kompania “Albtek Energy”, doli fituese. Me 16 dhjetor 2014 mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Albtek Energy” shpk, me administrator Stela Gugallja, kjo e fundit partnerja e biznesmenit kontrovers Mirel Mërtiri, që përflitet për lidhje me politikanë të lartë, u lidh edhe kontrata. Vlera e investimit do të ishte 22 milionë euro dhe shoqëria “Albtek Energy”, sipas kontratës duhet ta përfundonte ndërtimin e impiantit brenda 18 muajve. Kompania e Gugalljas, nënkontraktoi kompaninë “Integrated Technology Services” sh.p.k., të Klodian Zotos, për ndërtimin e impiantit.
Në pamje të parë, duket sikur gjithçka ka qenë një procedurë normale, por pas kallëzimit të bërë nga PD dhe LSI, SPAK zbuloi një skemë të pastër korrupsioni dhe zhvatje, që më gjasë nuk ka vetëm autorësinë e Lefter Kokës, por ndërthur fije dhe interesa të politikës me biznesmenët, përfitues të milionave nga buxheti i shtetit.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit Lefter Koka, që fitoi mandatin e fundit të deputetit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, dhe e dorëzoi atë disa javë më parë, akuzohet për korrupsion në shumën e 3.5 milionë eurove. Një denoncim i bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pak ditë para zgjedhjeve, rezultoi të shndërrohej në një hetim që dëshmon për mënyrën sesi zyrtarët zhvasin xhepat e qytetarëve.
SPAK thotë se nga hetimi rezultoi se shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar koncensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.