Ilir Meta bën analizat nëse është prekur nga Koronavirus

Dikush ishte infektuar nga palestra që ai frekuentonte...

Një person i infektuar me Koronavirus, në palestrën që frekuenton presidenti, Ilir Meta, detyroi kreun e vendit të bëjë testin e COVID-19.

Vetë presidenti ka folur për testin në një intervistë për “News 24”, ku u shpreh se doli negativ. Meta tregoi se e realizoi testin jo vetëm për veten, por edhe për njerëzit që takon për shkak të pozicionit të tij.

Presidenti shprehet se secili nga ne duhet të mendojë jo vetëm për veten por edhe për njerëzit që na rrethojnë. Ai tregon sesi pasi takoi personin e infektuar, u dha dorën edhe shumë të tjerëve, përfshi dhe drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët janë çdo ditë në vijën e parë të kësaj beteje, raporton News24.

Pjesë nga intervista:

Presidenti Meta: Unë vetë kam bërë testin, për arsye se mora një informacion që kisha qenë në një palestër, ku kishte rezultuar dikush, një qytetar, që unë e njihja, por që nuk ia kisha dhënë dorën, kishte qëlluar rastësisht. Unë u informova që kishte rezultuar me koronavirus dhe atëherë ishte detyra ime, jo thjeshtë për të mbrojtur veten time, por edhe bashkëpunëtorët apo për të verifikuar nëse unë kisha patur një virus të tillë.

Ndërkohë që unë u kisha dhënë dorën më parë dhe shumë të tjerëve, përfshi dhe drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët janë çdo ditë në vijën e parë të kësaj beteje.

Pyetje: Sigurisht meqë dhatë shembullin personal dolët negativ apo jo?

Presidenti Meta: Po, ishte kontroll i dyfishtë sepse, theksoj edhe njëherë secili nga ne nuk duhet të mendojë vetëm për veten e tij, por duhet të mendojë dhe për të gjithë te tjerët duhet të jemi shumë të vëmendshëm në të gjithë këtë histori.

Padyshim për gjyshërit tanë, për prindërit tanë, që mund të jenë më të rrezikuar edhe për shkak të moshës dhe për shkak të komplikacioneve, sepse kjo është edhe stinë virozash në tërësi, por edhe për fëmijët dhe për të rinjtë se po dalin statistikat të reja që tregojnë se edhe ata janë të kërcënueshëm dhe të rrezikuar.