I vjedhin 2 mijë Euro dhe mbajnë peng taksistin

Katër persona janë arrestuar për vjedhjen e një shumë parash dhe pengmarrje.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Katund i Ri në Elbasan. Përgjegjësi i një lokali në këtë fshat dhe shoku i tij i vodhën me dhunë 2 mijë Euro një taksisti dhe këtë të fundit e mbajtën peng për disa orë.

Pasi e lanë të lirë, taksisti shkoi dhe bëri denoncim në polici. Pas veprimeve hetimore, uniformat blu të Elbasanit vunë në pranga Th.B. 33 vjeç përgjegjës i lokalit dhe E.S. 42 vjeç shoku i tij.

Për këtë ngjarje janë arrestuar edhe dy kamarierë të lokalit, të cilët akuzohen se kanë dhënë dëshmi të rremë para hetuesve dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Policia thotë se dy pengmarrësit i vodhën paratë taksistit kur panë se ky i fundit kishte me vete një shumë të konsiderueshme Eurosh dhe e mbajtën për disa orë me qëllim që të mos tregonte. Të dy akuzohen për vjedhje dhe heqje të paligjshme të lirisë.