I shëruari i parë nga Covid-19 del nga spitali, Rama: Do karantinohet në shtëpinë e tij për 14 ditë

Pacienti i parë i shëruar nga koronavirusi në Shqipëri del nga spitali, Rama: Do karantinohet në shtëpinë e tij për 14 ditë (FOTO)

Pacienti i parë që u shërua nga Covid-19 në Shqipëri ka lënë shtratin e spitalit për t’u kthyer pranë familjes së tij. Lajmin e mirë e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në Facebook, në profilin e tij, ka publikuar foton e pacientit që shihet teksa largohet nga spitali. Tashmë, edhe pse të dyja testet për këtë pacient kanë rezultuar negativ, ai do të qëndrojë për 14 ditë në shtëpinë e tij, pa dalë asgjëkundi.

“I shëruari i parë del nga spitali për t’u mbyllur në shtëpi pa dalë fare 14 ditë, nën vëzhgimin e mjekëve fantastikë të infektivit,”– shkruan Rama krah fotos.

Pamjet vijnë në kohën kur në Shqipëri ka hyrë në zbatim ligji i luftës. Nga dita e sotme, ora 13:00 e deri të hënën në orën 05:00 është e ndaluar çdo lloj lëvizjeje me këmbë apo makinë. Qytetarët duhet të qëndrojnë brenda, ndërsa në rrugë ka dalë Ushtria dhe Policia. Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se për të ruajtur rendin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, do të përdoret edhe forca bashkë me gazin lotjsjellës. Tashmë orari i ri i lëvizjes edhe për javën e ardhshme është 05:00 me 13:00. Ndërkaq numri i të prekurve ka shkuar në 76, dy prej tyre të shëruar dhe dy viktima.