I hedh granatën në oborr vjehrrit, pranga 28-vjeçarit në Lezhë

Autoritetet e policisë në qytetin e Lezhës kanë arrestuar një 28 vjeçar banues në Mirditë, pasi hodhi një granatë në oborrin e vjehrrit të tij.

28 vjeçari dyshohet se mbrëmjen e kaluar, për motive të dobëta, ka hedhur në oborrin e banesës së vjehrrit të tij, shtetasit Z.D banues në fshatin Pallanë në Lezhë një granatë, e cila fatmirësisht nuk shpërtheu.

Në vendngjarje kanë shkuar edhe ekspertët xhenier të forcave “Renea”, të cilët kanë kryer edhe shpërthimin e komanduar të granatës. 28 vjeçari prej kohësh kishte mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij dhe ushtronte dhunë fizike të vazhdueshme ndaj saj, për këtë arsye bashkëshortja e tij ishte pajisur me urdhër mbrojtje nga Gjykata e Lezhës.

Mbi të riun rëndojnë akuzat e “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe municionit”. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Lezhë për veprime të mëtejshme.