I akuzuar për vrasje dhe objektiv i disa atentateve, kush është Elvis Gaçaj?

Elvis Gaçaj, personi i cili dyshohet nga Policia si i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos, nuk është emër i ri për Policinë dhe drejtësinë shqiptare. Ai dyshohet si i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale, ndërsa disa herë ka qenë edhe vetë shënjestër e atentateve.

Në prill të një viti më parë ai u arrestua së bashku me Leonard Dukën në Tiranë, ndërsa armën e hodhën nga ballkoni i banesës në oborrin e shkollës së mesme Partizani. Në atë kohë Gaçaj së bashku me të arrestuarit e tjerë u akuzuan vetëm për një sasi të vogël hashashi dhe dolën me arrest shtëpie.

Në vitin 2015 ai ishte objektiv i një atentati te “Lulishte 1 Maji” në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai vetë u plagos. Elvis Gaçaj akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i dispononte dhe financonte me lëndë narkotike.

44-vjeçari u ka shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv. Gjithashtu i arrestuari mbrëmjen e së martës në Durrës akuzohet se ka kryer një vrasje në vitin 1992 dhe një plagosje në vitin 2008.