Hoti: Duhet të kemi instrumente financiare për të siguruar investitorët e jashtëm

Kryeministri në detyrë Hoti i ka njoftuar bizneset në Kosovë për përfitimet e marrëveshjes për nxitje të investimeve Kosovë-SHBA e cila hyri në fuqi gjatë këtij muaji

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka takuar përfaqësues të bizneseve të sektorit publik dhe privat, të cilët i ka njoftuar rreth mundësisë së përfitimeve nga marrëveshja për nxitje të investimeve të nënshkruar midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fund të vitit të kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Hoti theksoi se bizneset dhe ekonomia e vendit po e kalojnë krizën e shkaktuar nga pandemia, ku sipas tij shfaqen përmirësime.

Marrëveshjen e nënshkruar vitin e kaluar me SHBA për nxitjen e investimeve e cila ka hyrë në fuqi gjatë këtij muaji, Hoti e quajti marrëveshja më e madhe pas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) që nga përfundimi i luftës më 1999 e këndej.

Sipas tij, rëndësia e marrëveshjes është për sektorin privat, të cilit “i hapet një dritare e pafund për të financuar projekte të ndryshme inovative në të gjitha veprimtaritë pa përjashtim”.

“I pari është financimi direkt nëpërmjet kredive që mund të marrin edhe institucionet publike edhe institucionet private dhe kompanitë e ndryshme nga institucione financiare amerikane. Mundësia e dytë është investimi në ekuitet të kompanive, ashtu që kompanitë amerikane ose fonde të ndryshme amerikane, korporatat amerikane, bëhen bashkë-aksionar në projekte të ndryshme që mund t’i zhvilloni ju në sektorin ku punoni. Si rezultat ato marrin një pjesë të aksioneve për të financuar pjesën e kredisë ose borxhit që ju nuk mund ta përballoni”, theksoi ai.

Hoti theksoi se marrëveshja përfshin edhe sigurim të investimit duke mbuluar humbjet që ndërlidhen edhe me rrezikun politik, nacionalizimin e fondeve/aseteve ose me konfiskim, ose situata të ndryshme kur mund të imponohen tatime që janë joracionale.

“Jam i sigurt që këto nuk do të përsëriten në të ardhmen por ne duhet të kemi instrumente financiare për të siguruar investitorët e jashtëm që po vijnë në një ambient të sigurt në çdo aspekt: edhe institucionalisht edhe politikisht por edhe me instrumente financiare për të mbuluar çfarëdo situate”, theksoi Hoti.

Hoti shtoi se shuma totale për këto projekte iniciale shkon në 1 miliard dollarë me maturitet 25 vjet, ndërsa kriteret për t’u marrë këto projekte parasysh nga Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) janë që projekti duhet të ndikojë në rritjen ekonomike në Kosovë, duhet të jetë i natyrës inovative dhe të jetë projekt gjithëpërfshirës.

Më 31 dhjetor të vitit 2020, Kosova u bë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që nënshkroi Marrëveshje për Nxitjen e Investimeve (IIA) me DFC-në.

Kjo marrëveshje do t’i mundësojë DFC-së që të ofrojë gamën e saj të plotë financiare, që përfshin financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante në ndihmën teknike, me qëllim që të ndihmojë në “mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovës”.