Hidhet shorti i Champions dhe Europa League, tremben Laçi, Kukësi dhe Partizani, buzëqesh Teuta

Është hedhur sot në Nyon të Zvicrës, shorti i eliminatoreve të Champions Leaguedhe Europa League që duhet thënë se ka qenë i pamëshirshëm për kampionët e Shqipërisë, Partizanin. Po ashtu as për Kukësin dhe Laçin nuk ka qenë një short i favorshëm. Teuta e Durrësit do përballet me modestët e Ventspilsit...

Është hedhur sot në Nyon të Zvicrës, shorti i eliminatoreve të Ligës së Kampionëve, që duhet thënë se ka qenë i pamëshirshëm për kampionët e Shqipërisë, Partizanin.

“Të kuqtë” do të përballen që në turin e parë me kampionët e Azerbajxhanit, Qarabag, të cilët janë një ekip i konsoliduar, që luajnë prej kohësh në grupet e Champions dhe Europa League.

Kjo është hera e dytë radhazi që azerët përballen me një skuadër shqiptare, pasi verën e kaluar u ndeshën me Kukësin, në turin e dytë eliminator dhe pas një barazimi pa gola në Shkodër, fituan 3-0 në shtëpinë e tyre.

E nëse Partizani “qan” për shortin, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kampionët e Maqedonisë Veriore, Shkëndijën, e cila ka gjetur përballë estonezët e Nomme Kalju, një skuadër modeste dhe lehtësisht e kalueshme.

Pas Champions Leagues, është hedhur shorti edhe për eliminatoret e Europa Leagues, ku Shqipëria përfaqësohet me 3 skuadra, Kukësin, Teutën dhe Laçin, me këta të fundit që mund të zëvendësohen nga Skënderbeu, nëse korçarëve u hiqet pezullimi 10-vjeçar.

Shorti ka qenë I pamëshirshëm për verilindorët e Ernest Gjokës, që do të përballen me hungarezët e Debrecenit, që ishte edhe skuadra më e fortë që mund t’u ofronin goglat, duke komplikuar rrugëtimin e Kukësit në Europë.

Shumë më bujar është treguar shorti me durrsakët e Teutës, që do të përballen me letonezët e Ventspilsit, skuadër kjo që vitin e kaluar u ndesh dhe eliminoi Luftëtarin e Gjirokastrës. Ventspils është një skuadër modeste, të cilën durrsakët mund ta kalojnë pa probleme, nëse do të impenjohen në mënyrën e duhur.

Skuadra tjetër shqiptare që do të luajë në këto eliminatore, Laçi do të përballet me izraelitët e Hapoel Ber’ Sheva. Edhe për bardhezinjtë short aspak bujar, pasi izraelitët janë një skuadër me mjaft eksperiencë në arenën ndërkombëtare, që natyrisht është favorite për të vijuar më tej.

Kosova përfaqësohet në paraeliminatoret e Europa Leagues me Prishtinën, që do të përballet me ekipin nga Gjibraltari St Joseph’s. Nëse kryeqytetasit do ty’ia dalin të kalojnë në turin eliminator, atëherë goglat u kanë rezervuar një kundërshtar mjaft të fortë si skocezët e Rangers.