Hashim Thaçi: Kosova është e gatshme të dërgojë ndihmë të menjëhershme për Turqinë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë dhimbjen me familjet e viktimave dhe të lënduarit nga tërmeti në Turqi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas tërmetit mbrëmjen e së premtes në Turqi, ka thënë se Kosova është e gatshme t’i ndihmojë Turqisë me ndihmë të menjëhershme operative, transmeton Anadolu Agency (AA).

Thaçi pas tërmetit vdekjeprurës në Turqi tha se “zemrat tona janë me familjet e viktimave dhe atyre që u lënduan nga tërmeti që goditi qytetin Elazığ”, duke shtuar se Kosova është e gatshme të ofrojë ndihmë.

“Kosova është e gatshme të dërgojë ndihmë të menjëhershme operative, pasi ne qëndrojmë pranë njerëzve dhe Qeverisë së Turqisë në këto momente tragjike”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Pak më herët, edhe zëvendëskryeministri në detyrë, Behgjet Pacolli, njëherësh ministër i Jashtëm, tha se Kosova është e gatshme të dërgojë trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës për të ofruar ndihmë në zonat e prekura nga tërmeti.

Agjencia turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi se sipas të dhënave paraprake, të paktën 14 persona kanë humbur jetën nga tërmeti me magnitudë 6,8 ballë që goditi provincën Elazığ në Turqinë lindore.