“Hap pas do të thotë dorëheqje”/ Deputeti i PD thirrje për bashkim: T’i shtrojmë rrugën bashkëpunimit përtej interesave personale!

Sekretari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Arbi Agalliu ka shprehur publikisht qëndrimin e tij mbi situatën në PD. Rënia e ndjeshme nga 50 në 25 % e opozitës në zgjedhjet e 6 marsit sipas Agalliut sollën nevojën e një ristrukturimi të domosdoshëm.

Ai e quan situatën të papranueshme ndërsa thotë se Shqipëria ka nevojë urgjente për opozitën e munguar. Në fund të fjalës së tij ai e vë theksin vetëm tek një zgjidhje , bashkimi, të cilin e konsideron përtej interesave të lidershipit të PD Basha dhe Shtëpisë së Lirisë.

Nga gjithsecili, thotë Agalliu është e nevojshme të bëhet një hap pas për t’i shtruar rrugën bashkëpunimit për bashkim.

Partia Demokratike dhe e gjithë opozita, në këto muaj i është larguar elektoratit dhe qytetarit duke u marrë me problemet e brendshme. Zgjedhjet në 6 Mars 2022 treguan tkurrjen e opozitës nga rreth 50% në rreth 25%. Kjo situatë është e pa pranueshme jo vetëm për demokratët por për të gjithë shqiptarët! Shqipëria ka nevojë imediate për opozitë. Që prej 9 Shtator 2021, energjitë e harxhuara nga e gjithë opozita duke u marrë me vetveten ishin të jashtëzakonshme, madje më tepër se në fushatë.

U thanë aq shumë, sa të vërteta dhe të pa vërteta, u hodh aq baltë dhe vrerë mes demokratëve aq sa populli na braktisi.

Humbi PD, humbi ShL, humbi opozita.

Ka vetem një zgjidhje që është bashkimi. Bashkimi përtej interesave personale të lidershipit të PD dhe ShL.

Sot duhet një hap pas nga gjithësecili për ti shtruar rrugën bashkëpunimit për bashkim.