Godina brënda shoqërisë së spektaklit

Nga Redi Shehu
Ngjarjet politike brënda Partisë Demokratike, nuk janë tashmë thjesht vetëm ngjarje që i përkasin një organizmi politik, ato janë zhvillime që implikojnë secilin qytetar, për ta thënë ndryshe, nuk janë zhvillime thjesht partie por janë edhe zhvillime Shqipërie. Kjo, për shkak se ajo çfarë po ndodh me Partinë Demokratike, do përcaktojë të ardhmen e politikbërjes në Shqipëri për dekadën e ardhshme. Nga kjo ngjarje, mund të shohim në perspektivë se si do të mund të jetë lufta politike në të ardhmen. Prandaj, është e rëndësishme për të gjithë ne, të dimë dhe të kuptojmë mirë faktet dhe zhvillimet e fundit, në mënyrë që të intepretojmë ashtu siç duhet gjuhën e ngjarjeve.
E përbashkëta e gjithë asaj që ndodh me konfliktin brënda PD-së, është lënia e një shijeje jo të mirë, krijimi i një atmosfere acide e cila jo vetëm dëmton dhe djeg të kundërtat, por edhe enën në të cilën kjo materie ndodhet, pra shoqërinë shqiptare. Ndërkohë, në të majtë, bëjnë sehir duke vështruar nga divanët e shtëpive te tyre spektaklin e djathtë i cili zhvillohet brenda një shoqërie spektakli, siç është e gjithë shoqëria postmoderne sipas Guy Debord. Nëse në shoqërinë e spektaklit, thelbi i saj përqëndrohet tek malli dhe produkti komercial me spektatorë konsumatorin i cili është i gatshëm të konsumojë këtë spektakël malli, në politikë thelbi i spektaklit qëndron tek malli politik, i cili duhet të riprodhojë veten vazhdimisht në lloj-lloj versionesh, në mënyrë që konsumatorët e politikës të vazhdojnë të jenë të angazhuar si konsumatorë. Për këtë, na duhen serialet e spektaklit politik i cili zëvendëson dhunshëm realitetin, duke iu mbivendosur të vërtetës.
Konflikti mbi godinën është një tregues i fazës së avancuar të dekadencës së Partisë Demokratike dhe mbi të gjitha i mentaliteve të vjetra në Shqipëri, të cilat janë të gatshme të prodhojnë çfarëdo spektakli por jo politikë dhe jo mjete të konsensusit politik. Godinat janë mjete me të cilat politika dhe partitë politike aktualizojnë vetevten, nuk janë qëllime në vetvete. Kthimi i një godine partie nga mjet në qëllim, tregon se sa të varfra janë mendësitë dhe praktikat politike tek ne. Beteja për godinën e Partisë Demokratike në fakt tregon një të vërtetë të madhe, pasigurinë që kanë palët mbi zotërimin e shumicës së demokratëve.
Këtë fakt, ne e pamë në mënyrën se si palët zhvilluan kongreset respektive si dhe referendumin të gjitha brënda 8 ditëve e denje per rekordet Guinness. Krejtësisht në monizëm pa pjesmarrjen dhe pa çertifikimin e palës tjetër. E gjithë kjo prodhoi maxhoranca të pretenduara por jo maxhoranca të faktuara. Bazuar mbi këtë premisë të dyja palët atëhere thellojnë spektaklin duke luftuar për maxhorancën e vet por pa provuar kurrë se ajo çka ata pretendojnë është konsensuale dhe e njohur nga pala tjetër. Po a nuk është e tejngopur shoqëria shqiptare nga spektakli i vazhdueshëm që i bën striptizë çdo ditë e që fillon me politikën dhe mbaron në showbizet e neveritshme të cilat e kthejnë shqiptarin në konsumator të dyfshtë të produteve të tij?
Ashtu siç edhe pritej, data 8 Janar do të shënonte një gur kilometrik në autostradën tonë tatëpjetëse të politikës shqiptare. Një preçedent i ri u vendos, një kufi tjetër moral dhe etik u shkel. Ashtu siç edhe bëri Partia Demokratike me braktisjen e mandateve të anëtarëve të kuvendit në 2019-tën, duke hapur një preçedent të ri, po ashtu në 8 Janar, sulmi ndaj godinës së demokratëve nga demokratët kundra demokratëve, shënoi edhe preçedentin e ri të politikës, aq sa përveç mediave botërore, nuk munguan edhe ato afrikane të pasqyrojnë një situatë të cilën ato kanë filluar ta harrojnë.
Ngjarja si dhe pamjet ishin të denja për një spektakël të shëmtisë, një riprodhim i neveritshëm i mallit politik që u ofrohej konsumatorëve të ekzaltuar dhe të angazhuar në përhumbjen e tyre që ata e quajnë rithemelim. Një Parti Demokratike me bashkëfajtorë e bashkëvuajtës që akuzojnë njëri-tjetrin për të kundërtat e kësaj formule, me dy liderë që si dy kokat e shqiponjës së flamurit tonë kombëtar, treguan më qartë se kurrë dyzimin që na përshkon të gjithë neve si mentalitet, artikulim dhe praktikë. Dyzim mes asaj se çfarë ishim në komunizëm dhe asaj që nuk arritëm kurrë të bëheshim në demokraci. Përplasja në selinë e PD-së në fakt, është vetëm njëra anë e shpalosjejs së spektaklit të përhumbur që ne konsumojmë përditë, me shqiptarë që sulmojnë shqiptarë pothuaj në të gjitha fushat e jetës. Sulmi dhe tymnaja e gazit të asaj të shtune të datës 8 Janar, janë vetëm se një pjesë e vogël e sulmit të përdithsëm që përmasohet bollshëm në tymnajën e trishtë e rutinore tonën të “eliminimit” të njëri -tjetrit.
Sali Berisha e provoi se tashmë ai gjendet në antikohën e vet, me fjalë, vepra dhe spektakël i cili nuk ka më asnjë pikë përputhje me të sotmen. Dalëngadalë ai provoi se berishizmi i ngërthyer në konceptin e protestës së dhunshme dhe politikës konfliktuale, tashmë nuk ngjit më, sepse konsumatori i spektaklit politik është i lodhur nga përsëritja e pothuajse të së njëjtës gjë tre dekada më vonë. Po ashtu, vendimet e kryesisë së PD-së për përjashtimin e z. Berisha dhe 8 demokratëve të tjerë, si dhe pezullimin e 19 figurave mbështetës të “rithemelimit”, përfundimisht vendosën kufirin e qartë tashmë mes dy grupimeve duke i hequr këyre të fundit të drejtën që t’i afrohen selisë së PD-së dhe duke çuar pashmangshëm drejt krijimit të dy njësive politike në të ardhmen.
Herët a vonë kjo ngjarje do të duhej të ndodhte në mënyrë që Partia Demokratike të përfundonte rrugëtimn e saj me lidership të dyzuar. Kostoja e gjithë kësaj është kohëzgjatja e agonisë së këtij proçesi.Tashmë shpresat për një parti të vetme demokratike duket se pothuajse janë shuar. Ajo që pritet të ndodhë është ekzistenca e rivalitetit të dy modeleve të partive demokratike. Nga njëra anë do të jetë modeli berishist dhe nga ana tjetër ai bashist të cilët do të përpiqen të fitojnë sa më shumë terren elektoral në tepsinë e demokratëve. Lufta për terren do të jetë luftë për bindjen e njerëzve përmes dy formave të ndryshme. Lufta do të jetë luftë mes dy modelesh opozitarizmi, njëri populist dhe anakronik në metodologji dhe tjetri më institucional dhe më me soft politik. Përpara se demokratët të fitojnë betejën me Edi Ramën, do të duhet të fitojnë betejën mes vete se cili model do të të fitojë besimin e demokratëve për të riorintuar energjitë opozitare kundra spektaklit të pushtetit.