GlobalG.A.P në Shqipëri “bileta” për eksportet bujqësore në BE

Shqipëria ka potencial të rrisë eksportin e frutave dhe perimeve në destinacionet e BE-së, pasi ato janë tregje me vlerë më të lartë.

Shqipëria ka potencial të rrisë eksportin e frutave dhe perimeve në destinacionet e BE-së, pasi ato janë tregje me vlerë më të lartë. Por për pemët dhe perimet e freskëta për të arritur tregje të tilla si Gjermania, Zvicra apo Franca, prodhuesit dhe eksportet shqiptare do të duhet të plotësojnë një sërë standardesh të vendosura nga zinxhirët e supermarketeve.

Në një intervistë dhënë ATSH-së, Sokol Stafa, ekspert në fushën e certifikimit dhe standardeve shpjegon se, GLOBALG.A.P është një nga standardet më të rëndësishme për prodhuesit i njohur më parë si EUREPGAP.

Ky standard, thotë Stafa, i miratuar dhe njohur nga institucionet e linjës në të gjithë botën,  përcakton standardet dhe procedurat vullnetare të certifikimit për praktikat e mira bujqësore, mbështetur nga ministria e Bujqësisë dhe donatorët e huaj.

Sipas tij, GLOBALG.A.P u krijua fillimisht nga një grup i zinxhirëve të supermarketeve europiane. Standardi synon të rrisë besimin e konsumatorëve në sigurinë e ushqimit duke zhvilluar praktika të mira bujqësore të cilat duhet të miratohen nga prodhuesit.

Fokusi i GLOBALG.A.P është në sigurinë ushqimore dhe gjurmueshmërinë edhe pse përfshin disa kërkesa për sigurinë e punëtorëve, shëndetin, mirëqenien dhe ruajtjen e mjedisit. Certifikimi i GLOBALG.A.P duhet të rinovohet në baza vjetore. Certifikata mbulon procesin e mallit të certifikuar që përpara mbjelljes së farës derisa të largohet nga ferma, thotë Stafa.