Prokuroria e Elbasanit kërkon masën e arrestit të shtëpisë për 6 efektivët “Shqiponja” të cilët dyshohet se kishin informacion për strukturën e mbrojtjes së votës që lëvizte e armatosur dhe nuk kanë marrë masa.
Kujtojmë se Arbër Paplekaj akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 prill 2021 në Elbasan.
Në seancën e fundit plenare dy ish nëndrejtorët e policisë së Elbasanit deklaruan se ngjarja nuk zgjati më shumë se 8 sekonda, ndërsa u zhvillua mes kaosit në një zonë shumë të populluar ç’ka e bëri të vështirë ndërhyrjen parandaluese.
Si ndodhi vrasja?
Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, në atë kohë eksponent i PS-së, ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve edhe një punonjëse policie.
Pas ngjarjes, në polici u vetë-dorëzua si autor i krimit Arbër Paplekaj, shoqërues i drejtues politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi.
Paplekaj, ish-efektiv i Reneas qarkullonte në Elbasan i armatosur si pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës, strukturë e cila ishte ngritur nga PD-ja në të gjithë vendin.