Gara për kreun e PD/ Si do ndihej nëse s’do kishte përballë asnjë kandidat? Berisha: Paraqitem për të kërkuar dhe fituar votën. Nuk sajoj rivalë, i respektoj

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sërish për çështjen e zgjedhjes së kreut të PD-së. Në një bashkëbisedim me gazetarët pasditen e sotme, i pyetur se si do të ndihej nëse më 22 maj nuk do të kishte asnjë kandidat tjetër përballë, Berisha tha gara e tij nuk bëhet për rivalët, por për anëtarët e PD-së.

Ai theksoi se ka marrë fund koha kur Edi Rama shpikte rivalë për veten e tij.

“Gara ime i nderuar zotëri dhe për të gjithë ata që po na ndjekin, nuk bëhet për rivalët, por për anëtarët e PD-së. Unë paraqitem për të kërkuar dhe fituar votën dhe besimin e anëtarëve të PD-së. Se çfarë vendimi do marrin të tjerët për të kandiduar apo jo, s’ka lidhje me mua. Është mendim personal i gjithsecilit, nuk varet nga unë. Cilido të kandidojë e garantoj me besim se ai komision do të krijojë të gjitha kushtet dhe mundësitë për një garë të hapur, transparente, të ndershme. Nuk ka rivalë. Ka marrë fund koha kur Edi Rama shpikte rivalë për veten e tij. Këto kërkojini atje. Me Sali Berishën nuk ka kështu. Nuk sajoj dhe as shpik rivalë, respektoj rivalë, ky është qëndrimi im”, deklaroi Berisha.