Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të enjten ka përmbyllur vizitën e tij në Beograd.
Qëllimi tha ai, është diskutimi mbi takimin e 18 marsit në Ohër dhe përsëriti se pritjet janë të larta nga Kosova e Serbia.
“Pritjet tona janë se do të kemi një takim të mirë mes liderëve për të punuar që ta jetësojnë këtë marrëveshje për normalizim. Me fjalë të tjera, marr parasysh gjithë pengesat për të gjetur një mënyrë për t’i tejkaluar dhe të dalin nga takimi me idenë se do të vazhdojnë të punojnë deri sa ta arrijnë.”- u shpreh Escobar.
Edhe një herë, i dërguari amerikan tha se është domosdoshmëri themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke shtuar që tashmë pyetje është se sa shpejt implementohet marrëveshja.
“Pyetja është sa shpejt do të ndodhë dhe cili është modeli për të? Emisari special i BE-së, ka prezantuar modele të shumta të këtij lloji asociacioni e që funksionojnë brenda BE-së, që të japin të drejta për vetmenaxhim dhe vetëqeverisje për pakicat brenda BE-së e që nuk prekin funksionalitetin, që nuk krijojnë tensione dhe shërbejnë për të afruar vende të ndryshme. Neve na duhet njëri nga këto modele të jetë shembull për Asociacionin.”- shtoi Escobar.
Gabriel Escobar po ashtu u shpreh i bindur se Kosova e Serbia mund të nënshkruajnë marrëveshje përfundimtare këtë vit.
“Besoj se marrëveshja është këtu, këtë vit kalendarik. Është plotësisht e mundur”.
Escobar pas Beogradit udhëton në Prishtinë për të takuar krerët shtetëror para takimit të 18 marsit në Ohër, ku pritet të diskutohet mbi planin e zbatimit për marrëveshjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.