G7 dhe NATO dënojnë sulmet me raketa të Rusisë në Ukrainë

Vendet e G7 dhe NATO deklaruan se dënojnë sulmet me raketa të Rusisë në qytetet e Ukrainës.

Udhëheqësit e SHBA-së, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Holandës, Spanjës, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel u mblodhën në margjinat e Samitit të G20 të mbajtur në ishullin indonezian të Balit.

“Ne dënojmë sulmet barbare me raketa të kryera nga Rusia ndaj qyteteve dhe infrastrukturës civile të Ukrainës të martën”, thuhet në një deklaratë të bërë në fund të takimit në emër të liderëve të G7 dhe NATO-s.

Në deklaratë thuhet se liderët diskutuan edhe për shpërthimin që ndodhi pranë kufirit polak me Ukrainën dhe se liderët i ofruan mbështetje Polonisë në hetimin e saj mbi këtë çështje dhe se kontakti i ngushtë me Poloninë do të vazhdojë ndërkohë që vazhdon hetimi.

Në deklaratë theksohet se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë, si dhe u shpreh mesazh ngushëllimi për të afërmit e dy personave që humbën jetën në shpërthimin në Poloni.