Fund i lumtur, Vllaznia mbyll sezonin me trofe, Shkodra feston Kupën e Shqipërisë

Vllaznia shpallet fituese e Kupës së Shqipërisë për herë të shtatë në histori ndërsa Skënderbeu largohet duar bosh pa mundur të venë në jetë një tjetër mrekulli pasi mbijetuan në elitë.

Vllaznia kurorëzon me trofe një sezon fantastik, flirtuan me titullin kampion, morën duartrokitjet e opinionin sportiv por nuk u ndalën këtu, në Shkodër besuan deri në fund dhe tashmë festojnë me një trofe në duar, Kupën e Shqipërisë.

Në finalen e zhvilluar në “Air Albania”, zyrtarisht për herë të parë me tifozë, Vllaznia mposhti Skënderbeun me rezultatin minimal 1-0. Ashtu siç pritej, ekipi i Bërdariç ishte me superiorë, kishin kontrollin e topit, krijuan më shumë volum loje, duke iu afruar golit të avantazhit në më shumë se një herë.

Skënderbeu nuk qëndroi pasiv, ekipi i Memellit bënë lojën e tyre, por pa mundur të ishin konkret në pasin final. Në momentin më përcaktues të sfidës, në minutën e 39-të, Vllaznia gjeti golin e avantazhit me Da Silvën.

Braziliani finalizoi një aksion model, brenda në zonë gjeti dhe devijimin me fat duke dërguar topin në rrjetë. Në fraksionin e dytë, Skënderbeu zbriti në fushë më i karikuar, Memelli spostoi ekipin përpara në kërkim të golit të barazimit, Mara dhe Mensah krijuan iluzionin e golin në disa raste.

Në momentin më të mirë të tyre, Skënderbeu mbeti me dhjetë lojtarë, në minutën e 86-të pas daljes me karton të kuq të Zguros. Ardit Hoxhaj në shtesë shpërdoroi një mundësi të artë për të hipotekuar finalen, por në fund festa ishte e gjitha për kuqeblutë.

Vllaznia shpallet fituese e Kupës së Shqipërisë për herë të shtatë në histori ndërsa Skënderbeu largohet duar bosh pa mundur të venë në jetë një tjetër mrekulli pasi mbijetuan në elitë.