Franca përgatitet për grevën më të madhe në historinë e saj

Grevat u bënë të pashmangshme pas deklaratës së Macron-it dhe qeverisë së tij se janë të vendosur të zbatojnë reformën për pensionet pavarësisht reagimeve

Franca po përgatitet për grevën më të madhe në historinë e saj, e cila do të vështirësojë seriozisht jetën e përditshme të popullatës dhe veçanërisht qytetarëve të Parisit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Pas krizës së shaktuar nga protestat e “Jelekëve të verdhë” që filluan një vit më parë dhe që lanë shenjë në historinë e Francës, punonjësit e shumë sektorëve do të hyjnë në grevë pa afat me qëllim për të reaguar ndaj reformës së pensioneve që ka përgatitur qeveria e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Me procesin i cili filloi me protestat e “Jelekëve të verdhë” kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe kushteve të këqija ekonomike, filloi edhe reagimi i qytetarëve me të ardhura të ulëta dhe të mesme të cilët shprehën revoltën ndaj problemeve ekonomike.

Grevat u bënë të pashmangshme pas deklaratës së Macron-it dhe qeverisë së tij se janë të vendosur të zbatojnë reformën për pensionet pavarësisht reagimeve.

Fakti që raporti i publikuar nga Instituti i statistikave kombëtare dhe punimeve ekonomike të Francës tregoi se politikat e ndërmarra nga Macron që nga ardhja e tij në detyrë më 17 maj të vitit 2017, ka siguruar të ardhura më shumë për të pasurit, ka bërë të rritet edhe më shumë “zemërimi dhe qasja kundërshuese” e francezëve kundër presidentit të tyre.

Për këtë arsye Macron që prej dy vitesh po përballet me krizën më të madhe pas protestave të “Jelekëve të verdhë”.

Me reformën në fjalë, parashikohen ndarje në pensionet për punëtorët dhe punonjësit e sektorit publik, heqjen e privilegjeve të dhënë ndaj tyre, rritjen graduale të moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç, si dhe ndikimin negativ ndaj shumë sektorëve të tjerë.

– Jeta do të ndalet në vend

Duke filluar nga dita e nesërme, është një listë mjaft e gjatë e atyre që do të hyjnë në grevë pa afat të tillë si, punonjësit e RATP (Rregullatorët e transportit publik) në Paris dhe përreth tij, kompania kombëtare fraceze e hekurudhave (SNCF), punonjësit e kompanisë ajrore Air France, policët, mjekët, infermierët, punonjësit e spitaleve, studentët, punonjësit e postave, punonjësit e sektorit publik, avokatët, punonjësit e bujqësisë, ekipet e shëndetësisë për ambulancat, drejtuesit e taksive, mësuesit, punonjësit e kompanisë shtetërore për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike EDF, shoferët e transportit, punonjësit e urgjencës në spitale, punonjësit e kompanisë Renault dhe punonjësit e rafinerisë.

Në kuadër të grevës nesër në të gjithë vendin 65 për qind e shkollave do të jenë të mbyllura, 11 nga 16 linja të metrosë në Paris nuk do të kryejnë udhëtime, në 5 prej tyre do të përjetohen ndërprerje serioze ndërkohë që do të ketë probleme edhe në trenat dhe autobusët e udhëtarëve.

Si pasojë do të anulohen 90 për qind e udhëtimeve të trenave të shpejtë, ndërsa nuk do të zhvillohen edhe 97 për qind e udhëtimeve të trenave të tjerë. Gjithashtu, në vend do të anulohen edhe 30 për qind e fluturimeve të Air France.

Jo vetëm në Paris por edhe në qytete të tjera do të ndodhin ndërprerje të mëdha në transportin publik.

– Gjatë periudhës 5-8 dhjetor nuk do të shiten bileta treni

Grevat në transportin publik duke nisur nga dita e nesërme do të tregojnë ndikimin e tyre. Në një deklaratë nga SNCF thuhet se gjatë periudhës 5-8 dhjetor nuk do të shiten bileta treni, ndërsa më pas është rekomanduar që udhëtimet me trena të shtyhen në datën sa më të mundshme të ardhshme.

Ndërprerjet në transportin publik do të shkaktojnë trafik intensiv nëpër rrugë, nuk do të jetë i mundur përdorimi i metrove dhe autobusëve ku si pasojë njerëzit do t’u drejtohen kompanive që ofrojnë shërbim privat në transport si Uber, por për shkak të kërkesës intensive që do të përjetohet pritet që të rriten edhe çmimet.

Po ashtu nga grevat, pritet të ndikohen negativisht edhe bizneset, si dhe qindra mijëra persona që protestojnë kundër reformës së pensioneve të cilët do të zhvillojnë protesta në mbarë vendin.

Protestuesit të cilët do të mblidhen nesër në stacionin e trenit Gare de l’Est do të marshojnë deri në sheshin Nation.

Protestuesit që do të dalin në rrugë edhe në qytete të tjera të vendit, presin që qeveria e Macron-it të heqë dorë nga reforma për pensionet.

Protestat dhe grevat në vend do të mbështeten nga shumë sindikata të punonjësve kryesisht nga Sindikata e Konfederatës së Përgjithshme të Punës, Sindikata e Policëve, si dhe nga “Jelekët e verdhë”.

Për shkak të protestave që do të zhvillohen në Paris, bizneset do të jenë të mbyllura.

– Macron anuloi vizitat e tij jashtë vendit

Ndërkohë mësohet se Macron ka anuluar për një periudhë vizitat e tij jashtë vendit për t’u fokusuar në zgjidhjen e problemeve që do të shkaktojnë grevat dhe protestat.

Francezët të cilët reagimet e tyre i shprehin nëpërmjet grevave dhe protestave, edhe më parë kanë zhvilluar shumë aktivitete të ngjashme. Greva e zhvilluar në vitin 1995 zgjati 3 javë dhe vendi u paralizua. Ndërkohë që greva e cila do të fillojë nesër pritet të jetë edhe më e madhe se ajo e vitit 1995.