Fitore me aromë titulli, Tirana përmbys Vllazninë në klasiken e Shqipërisë

Klasikja e Shqipërisë dhuroi gola dhe emocione të forta, por në fund festoi Tirana. Bardheblutë kryesues triumfuan 1-2 me përmbysje përballë Vllaznisë, duke siguruar suksesin e dytë sezonal në “Loro Boriçi”.

Ante Aralica kaloi vendasit në avantazh në minutën e gjashtë. Sulmuesi kroat nisi festën pasi shmangu edhe portierin Bekaj. Aralica realizoi një tjetër gol në minutën e 12-të, por VAR-i anuloi festën shkodrane.

Tirana reagoi pas gjysmë ore lojë, por Hoti u ndal nga traversa. Vllaznia pati shansin e artë për të gjetur golin e qetësisë, por Liridon Latifi humbi një penallti të akorduar nga VAR-i në minutën e 35-të.

Goditja e lojtarit nga Prishtina u ndal nga shtylla. Tirana mori zemër dhe gjeti golin e barazimit dy minuta përpara fundit të pjesës së parë, me Marsel Ismajlgecin që finalizoi një skemë perfekte.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Tiranën, që kaloi në avantazh 20 minuta përpara fundit. Seferi, asist fantastik i Redon Xhixhës dhe gol i Engjëll Hotit. Vllaznia tentoi barazimin, por nuk e evitoi humbjen përballë ekipit që po dominon Superioren.

Abissnet Superiore
Java e 25-të

Vllaznia-Tirana 1-2 (Aralica 6′ / Ismajlgeci 43′, Hoti 70′)