Fillon samiti në Berlin mbi krizën në Libi

Konferenca synon ndaljen e luftimeve në Libi, vendosjen e një mjedisi të besimit të ndërsjellë midis palëve dhe nisjen e bisedimeve për një marrëveshje paqeje permanente

Sot në kryeqytetin gjerman Berlin filloi konferenca ndërkombëtare për garantimin e armëpushimit në Libi dhe nisjen e procesit politik për zgjidhjen e krizës, raporton Anadolu Agency (AA).

E bashkëkryesuar nga kancelarja Angela Merkel dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, konferenca synon ndaljen e luftimeve në Libi, vendosjen e një mjedisi të besimit të ndërsjellë midis palëve dhe nisjen e bisedimeve për një marrëveshje paqeje permanente e cila do të bazohet në integritetin territorial të Libisë.

Në konferencë, e cila po mbahet pas armëpushimit të shpallur me ndërhyrje të Turqisë dhe Rusisë, marrin pjesë presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, presidenti rus Vladimir Putin, kryeministri britanik Boris Johnson, president francez Emmanuel Macron, presidenti egjiptian Abdulfettah al-Sisi, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, kryeministri Italian Giuseppe Conte, presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, Felix Tshisekedi, presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune, përfaqësuesi i OKB-së për Libinë, Ghanyan Salame, dhe përfaqësuesit e Unionit Afrikan dhe Lidhjes Arabe.

 

Në konferencë pjesëmarrës janë edhe kryetari i Zyrës së Jashtme të Partisë Komuniste të Kinës, Yang Jiechi, ndërsa Emiretet e Bashkuara Arabe (EBA) përfaqësohen nga ministri i Jashtëm Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Ndërkohë, për takimin në Berlin gjenden edhe Fayez al-Sarraj, kreu i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë të njohur nga OKB, dhe lideri i forcave jolegjitime në Libinë lindore, Khalifa Haftar.

Sarraj dhe Haftar nuk zënë vend në tryezën e samitit, por mësohet se janë vendosur në salla të ndryshme.

GNA, e njohur nga OKB, mbështetet kryesisht nga Turqia, Italia dhe Algjeria, kurse Haftar nga Franca, EBA dhe Egjipti.

Siç dihet, ndikim serioz mbi Haftarin ka pasur edhe Rusia.

Që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore, dhe GNA me qendër në Tripoli, që gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Qeveria e Libisë në Tripoli që nga muaji prill i vitit të kaluar është sulmuar nga kryekomandanti i forcave jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftar, ndërsa gjatë luftimeve në nëntë muajt e fundit kanë humbur jetën më shumë se 1.000 njerëz.

Më 12 janar, palët ndërluftuese në konfliktin libian njoftuan një armëpushim si përgjigje ndaj thirrjes së udhëheqësve të Turqisë dhe Rusisë.

Megjithatë, bisedimet në Moskë për një armëpushim të përhershëm përfunduan pa marrëveshje të hënën pasi Haftar u largua nga kryeqyteti rus pa e nënshkruar marrëveshjen.

Kërkesat e palëve

Pala e GNA-së kërkon ndalimin e mbështetjeve me armatim, të njihet qeveria legjitime e Libisë, të mos u jepen burimet e energjisë vendeve të huaja dhe që milicitë e Haftarit të tërhiqen nga territoret e pushtuara gjatë luftës së paligjshme kundër qeverisë legjitime.

Ndërkaq, pala e Haftarit kërkon përfshirjen në menaxhimin e Bankës Qendrore të Libisë nën kontrollin e GNA-së, çarmatimin e milicisë së lidhur me GNA-në në rast të një marrëveshjeje armëpushimi, vendosjen në Tripoli të milicisë së armatosur të lidhur me Haftarin, si dhe sigurimin e pushtetit politik në mënyrë direkte proporcionale në territoret e fituara me armë në rast të një zgjidhjeje të mundshme politike.