“Fenomeni kinez” në importet shqiptare – Këtë vit, morëm 15 miliardë lekë mallra më shumë nga Kina 

Zhvillimet e forta në kursin e këmbimit janë shoqëruar nga një çekuilibrim të disa raporteve në tregtinë e jashtme. Me partnerët kryesore tregtarë në Europë si Italia apo Greqia, Shqipëria rezulton të ketë një rënie të konsiderueshme të importeve në vlerë por jo në të njëjtin proporcion sa në volum. Kjo do të thotë se Shqipëria ka përfituar nga zhvlerësimi i euros në këtë aspekt.

Por ndryshe nga sa ka ndodhur me tregtinë në Europë ku luhatja monetare ka prodhuar disbalancë të fortë mes vlerës dhe volumit, me tregtinë në Kinë ka ndodhur ndryshe. Shqipëria ka njohur një rritje të fortë të importeve nga Kina duke konsoliduar një trajektore rritëse. Në 8 muajt e këtij viti, importet nga Kina janë rritur me 15 miliardë lekë më shumë.

Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të INSTAT, rezulton se në janar-gusht 2022 importet nga Kina ishin 47 miliardë e 595 milionë lekë. Ndërsa në janar-gusht të këtij viti, importet u rritën në 62 miliardë e 585 milionë lekë.

SCAN  ka analizuar shifrat ku rezulton se kjo është rritja më e madhe e importeve, në krahasim me çdo vende tjetër me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie tregtare. Rritja e importeve nga Kina është jo vetëm në vlerë por edhe në volum.

Por çfarë ka importuar më shumë Shqipëria nga Kina?

Nëse analizojmë shifrat, ndikimin më të madh në rritjen e importeve me Kinën e ka grupmallrat makineri dhe pjesë këmbimi, ku këtë vit janë importuar 10 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar. Po ashtu, rritje kanë njohur edhe grupmallrat ‘materiale ndërtimi dhe metale’ si dhe ‘tekstile e këpucë’.

SCAN