Erdoğan: Turqit qipriotë, pjesë e pandarë e popullit turk

"Turqit qipriotë janë pjesë e pandarë e popullit turk. Ata që ëndërrojnë për të ndryshuar të vërtetën se turqit qipriotë janë pjesë e pandarë e popullit turk, herët apo vonë do ta kuptojnë që po bëjnë përpjekje të kota", tha Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se turqit qipriotë janë pjesë e pandarë e popullit turk, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga Kryesia e Komunikimit të Presidencës turke, Erdoğan i dërgoi një mesazh presidentit të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) Mustafa Akıncı me rastin e 20 korrikut, Ditës së Paqes dhe Lirisë.

“Z. President, me rastin e 45 vjetorit të Operacionit Paqësor të 20 Korrikut 1974, i cili u dha qipriotëve turq paqe dhe liri, në emër të popullit turk dhe personalitetit tim, i uroj përzemërsisht popullit turk të Qipros Ditën e Paqes dhe të Lirisë”, ka thënë Erdoğan në mesazhin e tij duke shtuar se “Turqia, Operacionin e Paqes, e ka kryer me qëllim për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e popullit turk të Qipros i cili është një nga pronarët e barabartë të ishullit”.

“Vendosmërinë tonë në këtë çështje edhe sot e sheh e gjithë bota. Askush nuk duhet të dyshojë se ushtria heroike turke, e cila nuk e ndan Qipron nga atdheu i saj, nëse do të jetë e nevojshme dhe nëse bëhet fjalë për jetën dhe sigurinë e turqve qipriotë, nuk do të hezitoj për të ndërmarrë hapin që ka ndërmarrë edhe 45 vite më parë”, tha presidenti turk.

Ai tha se Operacioni i Paqes më 20 korrik 1974 është kryer në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Erdoğan ka theksuar se legjitimiteti ndërkombëtar në çështjen e Qipros do të jetë në krye të parimeve themelore të Turqisë ashtu dhe sikurse ka qenë deri më sot.

– “Turqia do të përdorë të gjitha mundësitë për vazhdimin e paqes në Mesdheun Lindor”

“Një zgjidhje e mundshme në Qipro do të realizohet vetëm kur të sigurohet barazia politike e turqve të Qipros dhe në kushtet kur të jenë plotësuar shqetësimet për sigurinë. Në asnjë rrethanë nuk do të hiqet dorë nga ky objektiv i cili është nevojë i të vërtetave në ishull. Turqia, në çdo rast do të vazhdojë të jetë garanci për mirëqenien, sigurinë dhe të ardhmen e popullit turk qipriot. Ata që mendojnë se ishulli dhe pasuritë e rajonit i përkasin vetëm atyre, ashtu sikurse sot edhe në të ardhmen do të gjejnë përballë vendosmërinë e Turqisë dhe Republikës Turke të Qipros Veriore”, potencoi presidenti Erdoğan.

Sipas tij, për sigurimin e zgjidhjes së drejtë dhe të përhershme në ishull, Turqia do të përdorë të gjitha mundësitë jo për tensionimin por për vazhdimin e paqes në Mesdheun Lindor.

“Ata që vënë në dyshim fuqinë e solidarizimit mes Turqisë dhe Republikës Turke të Qipros Veriore, lidhjes mes popullit turk dhe popullit turk të Qipros e kanë kuptuar zhgënjimin e madh të tyre me përvoja të këqija. Turqit qipriotë janë pjesë e pandarë e popullit turk. Ata që ëndërrojnë për të ndryshuar të vërtetën se turqit qipriotë janë pjesë e pandarë e popullit turk, herët apo vonë do ta kuptojnë që po bëjnë përpjekje të kota. Me këto ndjenja dhe mendime shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për veteranët dhe dëshmorët. I uroj popullit turk qipriot paqe, qetësi dhe lumturi”, ka thënë Erdoğan.