Erdoğan: Turqia me vendosmëri do të vazhdojë eksplorimet në Mesdheun Lindor

“Asnjë projekt që injoron Turqinë ose Republikën Turke të Qipros Veriore nuk mund të realizohet në Mesdheun Lindor”, paralajmëroi presidenti Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi i tij me vendosmëri do të vazhdojë të hulumtojë burimet hidrokarbure në Mesdheun Lindor, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e presidentit turk erdhën në një konferencë për media në Ankara, pas takimit me kryeministrin e Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Ersin Tatar.

“Asnjë projekt që injoron Turqinë ose Republikën Turke të Qipros Veriore nuk mund të realizohet në Mesdheun Lindor”, paralajmëroi presidenti Erdoğan.

Disa zyrtarë të nivelit të lartë nga TRNC-ja po shoqërojnë kryeministrin Tatar, i cili qëndron në vizitën e tij të parë zyrtare në Turqi me ftesë të presidentit Erdoğan.

Turqia vazhdimisht ka kundërshtuar shpimin e njëanshëm të administratës greke qipriote në Mesdheun Lindor, duke pohuar se TRNC-ja po ashtu ka të drejta për burimet në zonë.

Që nga pranvera e këtij viti, Ankaraja ka dërguar dy anije në Mesdheun Lindor, duke pohuar të drejtën e Turqisë dhe TRNC-së për burimet në rajon.

Anija e parë sizmike e Turqisë, Barbaros Hayrettin Pasha, po kryen eksplorime në Mesdhe që nga prilli i vitit 2017.

Athina dhe grekët qipriotë kanë kundërshtuar këtë veprim, duke kërcënuar se do të arrestojnë ekuipazhet e anijeve dhe duke kërkuar nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) t’u bashkohen kritikave të tyre.

Në vitin 1974, pas një grusht shteti që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja duhej të ndërhynte si fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua TRNC-ja.

Dekadat që nga ajo kohë kanë parë disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëeshjen, por të gjitha të përfunduara pa sukses. E fundit, e zhvilluar me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, përfundoi pa sukses në vitin 2017 në Zvicër.