Erdoğan: Turqia ka kapur gruan e Al-Baghdadit

Të martën, Turqia gjithashtu njoftoi arrestimin e motrës së liderit të vrarë të DEASH-it

Turqia ka kapur gruan e liderit të vrarë të DEASH-it, Abu Bakr al-Baghdadi, njoftoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Po e njoftoj për herë të parë, ne gjithashtu kemi kapur edhe gruan e Baghdadit”, tha Erdoğan në ceremoninë e shënimit të 70-vjetorit të themelimit të Fakultetit Teologjik të Universitetit të Ankarasë.

Erdoğan përshkroi terroristin si një person i cili derdh gjakun e njerëzve të pafajshëm pa iu trembur syri për qëllime personale të çoroditura.

Turqia të martën njoftoi se është arrestuar edhe motra e Al-Baghdadit.

“Arrestimi i motrës së al-Baghdadit është edhe një shembull i suksesit të operacioneve tona kundër-terroriste”, tha në Twitter, Fahrettin Altun, shefi i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë.

Që kur Turqia e njohu DEASH-in si grup terrorist në vitin 2013, Turqia është sulmuar shumë herë nga terroristët e DEASH-it, përfshirë 10 bomba vetëvrasëse, shtatë bomba dhe katër sulme të armatosura që vranë 315 persona, përfshirë oficerë të policisë, ushtarë dhe qindra të plagosur.

Në kundërpërgjigje të kësaj, Turqia nisi operacione kundër terrorizmit brenda dhe jashtë, duke neutralizuar 3.500 terroristë të DEASH-it dhe duke arrestuar 5.500 të tjerë.