Erdoğan: Turqia është bërë çelësi i paqes në Libi

Erdoğan kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për mungesë reagimi kundër "sulmeve të pamatura" të komandantit të forcave jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftarit

Me përpjekjet e saj në terren dhe diplomaci, Turqia është bërë çelës i paqes në Libi, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi theksuar në çdo rast se një zgjidhje e përhershme politike në Libi mund të sigurohet përmes dialogut…Ne e kemi forcuar bashkëpunimin tonë me qeverinë legjitime libiane përmes dy memorandumeve të mirëkuptimit të nënshkruara në fund të vitit 2019”, tha Erdoğan.

“Turqia është bërë çelësi i paqes në Libi me përpjekjet e saj në terren dhe diplomaci”, shtoi presidenti turk.

Komentet e tij erdhën në një konferencë për media në Aeroportin Ataturk të Stambollit para nisjes për në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare të Berlinit për zgjidhjen e krizës në Libi.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres do të bashkëkryesojnë Konferencën e Berlinit, e cila synon një angazhim më të fortë nga fuqitë botërore dhe aktorët rajonalë për mosndërhyrjen në Libi dhe për të mbështetur armëpushimin dhe embargon e armëve të OKB-së.

Erdoğan gjithashtu kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për mungesë reagimi kundër “sulmeve të pamatura” të komandantit të forcave jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftarit.

“Veprimet e puçistit Haftar dhe mbështetësve të tij, me të cilat haptazi kanë shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, janë injoruar për një kohë të gjatë”, tha Erdoğan.

Megjithatë, Turqia ka mbajtur një qëndrim parimor dhe të qëndrueshëm përballë krizës në Libi që nga dita e parë që filloi, tha presidenti turk.

Krahas Erdoğan, presidenti rus Vladimir Putin, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Boris Johnson, kryeministri italian Giuseppe Conte dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së Mike Pompeo kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Qeveria gjermane njoftoi gjithashtu se kryeministri i Libisë Fayez al-Sarraj dhe komandanti me qendër në Tobruk, Haftar, kanë pranuar ftesën për konferencë.

Zyrtarë të lartë nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, mbështetësit kryesorë të kreut të forcave jolegjitime Haftar, gjithashtu do të marrin pjesë në konferencë.