Erdoğan: Po bëjmë çdo lloj sakrifice për të mbrojtur qytetarët tanë nga çmimet në rritje të energjisë

“Ne po bëjmë çdo lloj sakrifice për të mbrojtur qytetarët tanë në një periudhë kur çmimet e energjisë në gjithë botën, kryesisht në Evropë janë rritur 2 deri në 5 herë”, tha presidenti

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se “Ne po bëjmë çdo lloj sakrifice për të mbrojtur qytetarët tanë në një periudhë kur çmimet e energjisë në gjithë botën, kryesisht në Evropë janë rritur 2 deri në 5 herë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan në një fjalim në takimin me krerët e degëve të qyteteve të AK Parti-së (Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim) tha se gjatë pandemisë kur e gjithë bota hyri në një periudhë lëkundjeje, Turqia u diferencua nga vendet e tjera duke mos i ndalur aspak proceset e prodhimit dhe duke ruajtur punësimin.

“Shembulli më konkret i kësaj të vërtete është që ne vazhduam rritjen teksa e gjithë bota u zvogëlua vitin e kaluar. Ne treguam përsëri ndryshimin tonë duke mos shkaktuar ndonjë mungesë në vendin tonë në periudhën e fundit kur ndodhi një bllokim serioz në prodhimin, furnizimin, logjistikën global si dhe në kanalet me pakicë. Me besimin se çdo krizë sjell një mundësi, ne po përpiqemi periudhën e pandemisë e cila shkatërroi botën ta shndërrojmë në një përparim të ri dhe të madh”, tha Erdoğan duke shtuar se:

“Fatmirësisht shohim se populli ynë me të gjithë shtresat e tij përfshirë industrialistët, eksportuesit, tregtarët e përqafuan me vendosmëri këtë lëvizje të zhvillimit. Ne e dimë se po ndodhin zhvillime të mira në shumë prej qyteteve tona nga ngritja e zonave industriale të organizuara e deri në përpjekjet për të rritur kapacitetet”.

Ai tha se edhe shifrat serioze të rritjes në tremujorin e parë dhe të dytë të këtij viti tregojnë se Turqia është në drejtimin e drejtë.

Në fjalën e tij duke iu drejtuar kreut të partisë CHP, Kılıçdaroğlu, presidenti Erdoğan tha: “Ne po bëjmë çdo lloj sakrifice për të mbrojtur qytetarët tanë në një periudhë kur çmimet e energjisë në gjithë botën, kryesisht në Evropë janë rritur 2 deri në 5 herë. A nuk je në vetëdije, nuk shikon televizor? Nuk e shikon gjendjen në të cilën ndodhet bota, Evropa në energji? Kanë probleme në mungesën me benzinën. Nuk i sheh gjendjet e tyre? Kryesisht vende si Amerika, Gjermania, Britania janë pothuajse të falimentuara në karburante”.

Presidenti turk theksoi se përtej kësaj nuk mund të gjejnë as shoferë kamioni. “Që kur filloi pandemia ne kemi mbajtur dhe vazhdojmë të mbajmë në nivelin më të ulët të mundshëm çmimet nën kontrollin publik në sektorin e energjisë dhe duke i subvencionuar kur është e nevojshme”.

Erdoğan tha se ata po bëjnë përpjekje intensive në mënyrë që kontratat ndërkombëtare që do të ndikojnë në çmimet e energjisë të sigurojnë avantazhet më të larta në favor të Turqisë. “Në një proces ku gjithçka që ndikon në kostot, veçanërisht çmimet e mallrave në botë janë rritur në një nivel të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore, ne po përpiqemi të ndihmojë vendin tonë që të kalojë këtë periudhë me sa më pak probleme. Fjalët nga foltoret e atyre që nuk janë në dijeni të realiteteve të vendit dhe botës nuk kanë asnjë dobi dhe asnjë përfitim për këtë tablo. Ata flasin, ne ofrojmë shërbim, prodhojmë vepra, zgjidhim probleme, paraqesim objektiva dhe vizione të reja”, tha ai.