Erdoğan: Le ta dijë Izraeli se do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë vëllezërve dhe motrave tona palestineze

Bastisjet e policisë izraelite në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar janë “të papranueshme”, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke i bërë thirrje Izraelit të braktisë hapat që po nxisin tensionet, transmeton Anadolu.

“Ndërhyrjet dhe kërcënimet kundër statusit historik dhe spiritualitetit të Mesxhid al-Aksasë, si dhe lirisë së besimit dhe jetës së palestinezëve, duhet të marrin fund”, tha Erdoğan në një intervistë televizive.

Deklaratat e tij erdhën pas përshkallëzimit të tensioneve pasi policia izraelite arrestoi rreth 350 besimtarë nga brenda kompleksit të Mesxhid Al-Aksasë.

Një grup palestinezësh formuan barrikadë brenda faltores Al-Kibli brenda kompleksit pasi kolonët hebrenj bënë thirrje për një bastisje në xhami. Ata u përpoqën të pengonin hyrjen e policisë duke mbyllur dyert e saj.

Duke rrethuar faltoren Al-Kibli, policia izraelite u ngjit në çatinë e xhamisë, theu disa nga xhamat dhe fillimisht ndërhyri me bomba zhurmuese kundër besimtarëve brenda. Disa nga personat në xhami u përpoqën t’i rezistojnë policisë duke hedhur fishekzjarre.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë vëllezërve dhe motrave tona palestineze në çdo rrethanë dhe të mbrojmë vendet e shenjta. Edhe Izraeli duhet ta dijë këtë gjë kështu”, theksoi presidenti turk.