Erdoğan: Do t’i përdorim deri në fund të drejtat tona në Detin Mesdhe

"Ne do t'i ndjekim dhe do t‘i përdorim deri në fund të drejtat tona në Detin Mesdhe, që rrjedhin nga e drejta detare ndërkombëtare dhe ligji ndërkombëtar", tha Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se “Do t’i përdorim deri në fund të drejtat tona në Detin Mesdhe, që rrjedhin nga e drejta detare ndërkombëtare dhe ligji ndërkombëtar”, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan gjatë një fjalimi në një takim të partisë së tij (AK Parti) që u zhvillua në Qendrën e Kongreseve Haliç në Stamboll tha se:

“Turqia dhe Libia nënshkruan një tekst dakordimi, i cili ishte kryesisht një marrëveshje për ngushtimin e kufijve të juridiksioneve detare. Këtë unë e nënshkrova pasi u miratua në Parlamentin tonë dhe tani ai i është dërguar OKB-së. Ne do t’i ndjekim dhe do t‘i përdorim deri në fund të drejtat tona në Detin Mesdhe, që rrjedhin nga e drejta detare ndërkombëtare dhe ligji ndërkombëtar”.

Ai vuri në dukje se kanë qëndruar të palëkundur dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë të tillë në përpjekjet e bëra për të mbrojtur sovranitetin, të drejtën, interesat e vendit dhe të të gjithë miqve.

“Bëhen agresivë, shqetësohen sepse nuk mund ta drejtojnë, menaxhojnë dhe t’i japin drejtim Turqisë ashtu siç kanë vepruar më parë. Për shak se bëhen agresivë humbin edhe balancën”, tha Erdoğan.

Presidenti turk potencoi edhe çështjen e Sirisë, duke thënë se në takimet e zhvilluara liderët botërorë kanë këshilluar duke pyetur “Kur do të dilni nga këtu (Siria).

“Ndërsa ne, përfshirë edhe takimin e zhvilluar pak ditë më parë me liderët e Francës, Britanisë, Gjermanisë u kemi thënë ‘Ju çfarë pune keni atje’. Ne kemi një kufi prej 911 kilometrave, po ju a keni kufi? Jo. Po mirë, por 32-33 mijë armë, automjete, municione kujt ia keni dërguar? Terroristëve”, tha Erdoğan.

Më tej ai tha se “Nuk do të largohemi (nga Siria) derisa të largoheni ju dhe përsa kohë që populli i Sirisë të thotë “Ju faleminderit, tashmë mund të shkoni. Ne ndodhemi atje në kuadër të Marrëveshjes së Adana-s, në kuadër të kërkesës së popullit sirian”.