Erdoğan: Asnjë fuqi nuk mund të rrëzojë një vend që mbrohet nga populli i tij

"Dikush po bën përpjekje për ndarjen e naftës. Këtë na e propozuan edhe neve. Por, ne thamë se 'shqetësimi ynë nuk është nafta' por njeriu. Shqetësimi ynë është të shpëtojmë këto njerëz", tha Erdoğan

Gjatë një fjalimi në Konferencën e 2-të Ndërkombëtare të Ombudsmanit të zhvilluar në rezidencën Dolmabahçe në Stamboll, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se “Asnjë fuqi dhe ndikim nuk mund të rrëzojë një vend që mbrohet nga populli i tij”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në botën e sotme shohim se shtetet të cilat nuk krijojnë lidhje të fuqishme me qytetarët e tyre janë shumë më të pambrojtura nga ndërhyrjet e brendshme dhe të jashtme. Shtetet që nuk dëgjojnë zërin e njerëzve të tyre, që nuk kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre dhe që bëjnë të kundërtën duke u përpjekur të shtypin me mizori kundërshtimet mund të përballen me dhimbje dhe rrënime të mëdha”, tha Erdoğan.

“Unë besoj se sa më shumë që të shumojmë, diversifikojmë dhe t’i bëjmë më efektive, kërkimin e të drejtës së popullit tonë përballë institucioneve tona publike, shteti ynë do të jetë po aq i fuqishëm”, theksoi Erdoğan.

Në fjalën e tij, Erdoğan tha se kanë arritur të qëndrojnë të palëkundur dhe kanë rritur vazhdimisht fuqinë pavarësisht se prej vitesh janë përballur me sulmet e organizatës terroriste, me kurthe ekonomike dhe me shumë kërcënime.

Ai potencoi se Turqia është vendi që jep mbështetjen më të madhe për refugjatët ose për vendet më pak të zhvilluara në botë. “Dikush po bën përpjekje për ndarjen e naftës. Këtë na e propozuan edhe neve. Por, ne thamë se ‘shqetësimi ynë nuk është nafta’ por njeriu. Shqetësimi ynë është të shpëtojmë këto njerëz”, shtoi Erdoğan.

Ndërkohë lidhur me luftën kundër terrorizmit, Erdoğan tha se “Nuk është e mjatueshme të mbajmë larg vetes organizatat terroriste. Ne po luftojmë me të gjithë organizatat terroriste si DEASH, Al-Kaede, PKK/YPG dhe FETO të cilat kërcënojnë vendin tonë dhe botën. Me të gjitha këto përpjekje që kryen, Turqia nuk ofron vetëm sigurinë dhe qetësinë e saj por në të njëjtën kohë po paguan edhe borxhin e ndërgjegjes të të gjithë komunitetit ndërkombëtar”.