Energjia do shtrenjtohet për 32% të konsumit për ata që konsumojnë mbi 700 kwh

Skema për shtrenjtimin e energjisë për familjet që konsumojnë mbi 700 kwh energji në muaj do të sjellë faturimin me çmime më të larta për 32% të energjisë që konsumojnë familjet shqiptare.

Televizoni SCAN ka siguruar shifrat zyrtare, që janë pjesë e studimit të ndërmarrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për mundësinë e rikthimit të skemës së tarifimit me 2 fasha të energjisë elektrike, ku jepen të dhënat e sakta edhe mbi numrin e familjeve që preken nga ky ndryshim.  Sipas të dhënave, konsumi total për vitin 2021 nga konsumtorët familjarë arriti në rreth 3 mln Mwh energji, ndërkohë që 725.856 Mwh, apo rreth 32% e kësaj sasie i përket pikërisht fashës së konsumit mbi 700 kwh, për të cilën qeveria ka deklaruar se do të kërkojë faturim me çmimet e tregut të parregulluar.

Rreth 50% e kësaj sasie energjie i takon fashës së konsumit 700-1000 kwh, ndërkohë që pjesa tjetër është në fashën e konsumit mbi 1000 kwh. Të njëjtat të dhëna tregojnë se tarifimi me çmime më të larta në fashën mbi 700 Kwh do të prekë 56,699 familje, nga 1,092,547 abonentë që janë në total.

Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti se 252,567 abonentë kanë konsum “zero” të energjisë, çka do të thotë se nëse përllogarisim familjet me konsum aktiv, atëherë  rritja e çmimit do të prekë  6.75% të familjeve që jetojnë në Shqipëri. Aktualisht, qeveria ka bërë publik planin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike përmes tarifimit me 2 fasha të energjisë.

Sipas kësaj skeme, deri në 700 kwh energjia do të vijojë të tarifohet me 9.5 lekë/Kwh, ndërkohë që çdo KW i konsumuar mbi këtë nivel do të faturohet me çmimet e tregut, që janë rreth 3.5 herë më të larta. Aktualisht, nuk ka ende një aplikim të depozituar pranë Entit Rregullator të Energjisë për ndryshimin e skemës së faturimit, ndërkohë që referuar proceduarve ligjore në fuqi, është pikërisht ky dikaster që do të vendosë nëse do të ketë ndryshime apo jo.