Elvis Naçi dhe Marin Mema në mbledhje me Ramën: Ose të ketë transparencë ose nuk ulemi më në tryezë

Mbledhja e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit është shoqëruar me replika mes kryeministrit të vendit, Edi Rama gazetarit Marin Mema dhe imamit Elvis Naçi...

Mbledhja e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit është shoqëruar me replika mes kryeministrit të vendit, Edi Rama gazetarit Marin Mema dhe imamit Elvis Naçi…

Edi Rama u shpreh se media në përgjithësi ka bërë hata te qytetarët me raportimet e saj dhe kjo është skandaloze .

“Mediat po bëjnë një hata. Po e fusin goditjen e njerëzve në një rrugë pa krye. Thonë sikur të gjitha godinat po bien dhe vazhdojnë. Shkalla e rrezikut është e kontrollueshme. Pjesa dërrmuese në Tiranë dhe Durrës janë ok. Janë të sigurta, por tek ai 1% duhet të shohim”, tha Rama.

Nga ana tjetër Marin Mema tha:

“Media nuk është macja e zezë e kësaj historie. Po e kërkojmë fajin te media. Media nuk është skandaloze, apo të etiketohet me përkufizime të tjera që më duken absurde, si çdo sektor tjetër ka problem, por nuk do të thotë që ta anatemojmë. Nuk është për të sjellë zërin e qeverisë, por zërin e qytetarëve.”

Rama replikoi:

“Pak më tolerant me mendime e të tjerëve. Media është skandaloze dhe nuk ka diskutim. Këtu bëhet fjalë për një popull të tmerruar dhe ka një mijë mënyra dhe kënde për ta vënë kamerën dhe nëse ke sensibilitetin e momentin, është që njerëzit duhet të fillojnë të marrin frymë. Mos u shqetëso për kategorinë se kategoria jote do të mbijetojë pavarësisht se çfarë them unë, por është skandaloze e përsëris. Sigurisht nuk janë të gjithë njësoj. Në këtë fazë në këto ditë, media është skandaloze, kriminale sepse këtu bëhet fjalë për ekuilibra psikologjikë të njerëzve. Kanë ikur njerëz me mijëra nga Tirane Durrësi, pse kanë ikur? Me ato gënjeshtra e sharlatanizma që më shohin sytë, unë e kam mbyll punën me ekranet, por marr raportet, dhe njerëzit thonë unë po iki se ka ardhur fundi i botës. Po nuk është e vërtetë që godinat janë të gjitha duke rënë. U bë nami për spitalin, kjo është kriminale. Po bie spitali i Durrësit, ai kishte vetëm një krisje”

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Imami Elvis Naçi iu bashkua propozimit që çdo lëvizje nga fondet e mbledhura për njerëzit e prekur nga tërmeti do të bëhet transparente.

Tepër i prerë, Naçi u shpreh se në të kundërt, ai dhe gazetari i Top Channel-it, Marin Mema nuk do t’u bashkohen më mbledhjeve të ngjashme.

“Shqipëria ka ardhur koha të krijojë disa standarde. Nuk jemi Zvicra dhe as Gjermania. Duam ti mësojmë atyre që edhe qindra mijëra miliona euro që thamë, do ti bëjmë transparente deri në një. Ai që do na japi shtëpinë do të na ulë çmimin. Zotit Rama po ia them këtu, o do të bëhet diçka siç duhet ose unë me Marinin në tavolinat e tjera nuk do të jemi këtu. Do të dalim veç me fondacione të vogla, por jo të bëhet si tek tezgat. Nëse do bëhet si tek tezgat, më mirë pak dhe faqebardhë”, tha Imami Elvis Naçi.

Imami Elvis Naçi është i pranishëm në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit dhe është shprehur se deri më tani nga fondacioni i tij janë mbledhur 2 milion euro dhe priten rreth 3-4 milion.

 

Ai tha se shumë shpejt do të bënte transparencë të plotë sa u përket të ardhurave. Prej kohësh cilësohet si politikan i ardhshëm duke qenë se ka shumë impakt në shoqëri.

Naçi i ka dhënë edhe një herë tjetër përgjigje kësaj, duke u shprehur se kurrë nuk do të merrej me politike.

Elvis Naçi:

“Nuk merrem me politikë, pavarësisht se më kanë akuzuar. Jemi të barabartë. Këtu jemi të gjithë të barabartë në fusha të ndryshme, të gjithë kemi kontribuar. Barazia në këtë tryezë, hapi i parë për të ngrohur ata që janë të varfër.

Ne në këtë tryezë do të bëjmë transparencën edhe të fondeve të njëri-tjetrit, Unë nuk kam asnjë post dhe nuk do të merrem asnjëherë me politikë”.